"I pandehuri Ljubisha Miljkoviq në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e Komunës, pas të cilave kanë përdorur dhunë të pakontrolluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it...”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale drejtuar gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata vlerësoi se pesha e veprës është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme
Një muaj paraburgim ia ka caktuar të martën Gjykata Themelore në Prishtinë Ljubisha Miljkoviqit, të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, më 29 maj të 2023-tës, në Zveçan.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi se Miljkoviq ka kryer katër vepra penale dhe ai së bashku me persona të tjerë kanë tentuar që të pengonin vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore të vendit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 29.5.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L. M., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se i dyshuari Miljkoviq dhe të dyshuarit e tjerë nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve të KFOR-it që të shpërndahen të qetë.
“I pandehuri Ljubisha Miljkoviq në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e Komunës, pas të cilave kanë përdorur dhunë të pakontrolluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, nga predhat e armëve të zjarrit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Në kërkesë të Prokurorisë thuhet se përveç pjesëtarëve të KFOR-it janë lënduar edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare.
“Duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Miljkoviq u arrestua të dielën në Zveçan, me dyshimin se ka kryer veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Themelorja vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal.
Gjykata në Prishtinë ka theksuar po ashtu se “nëse gjendet në liri mund të arratiset”.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, janë siguruar prova materiale si: një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një fanellë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike.
E në nëntor të vitit të kaluar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës është arrestuar edhe Marko Daniq.
Për pjesëmarrje në protestat e dhunshme të 29 majit 2023, ai ishte dënuar me dy vjet burgim efektiv e 9 mijë euro gjobë, meqë kishte arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.