Është ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari të Ministrisë së Bujqësisë dhe pronarit të një kompanie, për abuzimin gjatë zbatimit të kontratës për renovimin e një objekti të Ministrisë në “Ulpianë” të Prishtinës, e në kuadër të së cilës parashihej edhe largimi i inventarit. Hetimet për këtë rast kanë nisur të nesërmen, pasi që KOHA ka raportuar se Ministria ka paguar edhe për shumë hapësira që fare nuk kanë pasur inventar
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të martën kundër një zyrtari të Ministrisë së Bujqësisë dhe pronarit të një kompanie nën dyshimin për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 36 mijë euro.
Aktakuza është ngritur pas hulumtimit të KOHËS, i cili pati zbuluar se Ministria e Bujqësisë ka paguar 66 mijë euro për largimin e inventarit nga objekti, në të cilin e ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e në një pjesë të të cilit nuk ka pasur inventar fare.
Videoja që është përdorur si provë nga ana e Prokurorisë, e të cilën e ka siguruar KOHA, dëshmon se shumica nga hapësirat në katin e tretë dhe në bodrum kanë qenë të zbrazëta.
Sipas aktakuzës, Bedri Dobra, në cilësinë e menaxherit të kontratës, gjatë periudhës 19.08.2024 - 31.12.2024, e ka miratuar dhe e ka vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizimin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.
“I pandehuri ka pranuar dhe vërtetuar realizimin e plotë të punimeve dhe pagesave lidhur me pozicionet ‘Largimi (lëvizja) i Inventarit dhe mbetjeve të tjera nga salla/zyra...’ për 33 hapësira, ndonëse hapësirat kanë qenë pothuajse shumica prej tyre të zbrazëta, pa inventar, para fillimit të punimeve. Rrjedhimisht pozicioni është realizuar vetëm pjesërisht, vetëm në hapësirat ku realisht ka ekzistuar inventari, në kundërshtim me nenin 28 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës, i cili e obligon menaxherin e kontratës që të verifikojë realisht punët e kryera, të vërtetojë pagesat vetëm për punë të përfunduara realisht”, thuhet në aktakuzë.
Edhe pronari i kompanisë “Limit Project”, L.Z. akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët janë kryer vetëm pjesërisht.
“Ka paraqitur fakte të rreme dhe ka deklaruar rrejshëm realizimin e plotë të pozicionit ‘Largimi (lëvizja) e Inventarit dhe mbetjeve të tjera nga salla/zyra deri në përfundimin e plotë të punëve dhe bartja e tyre deri në deponinë më të afërt legale, varësisht nga kërkesa e mbikëqyrësit të punimeve’ për 33 hapësira, ndonëse kishte njohuri se një pjesë e konsiderueshme e hapësirave (kati 3 dhe bodrumit) ishin të zbrazëta dhe pa inventar, punët reale ishin kryer vetëm pjesërisht, veprime këto me të cilat i ka mundësuar dobi pasurore të kundërlighshme vetes, saktësisht operatorit ekonomik ‘L.P.’ me seli në Prishtinë, duke i shkaktuar dëm të madh financiar buxhetit në vlerë prej 36 mijë eurosh”, theksohet në aktakuzë.
KOHA ka pyetur në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me këtë aktakuzë, porse nuk ka marrë përgjigje gjatë së martës.
E në kompaninë “Limit Project” kanë thënë se pozicionet janë trajtuar sipas paramasës dhe janë plotësisht në rregull me ligjin.
“Çmimi i këtij pozicioni ka qenë i përcaktuar për largimin e të gjithë materialit, inventarit dhe mbetjeve që ndodheshin brenda hapësirave, pavarësisht sasisë konkrete në secilën prej tyre, dhe punimet janë realizuar në përputhje të plotë me këtë përshkrim kontraktual dhe sipas kërkesave të mbikëqyrësit të punimeve”, kanë thënë në këtë kompani.
KOHA ka raportuar se si Ministria e Bujqësisë pati paguar rreth 48 mijë euro më shumë krahasuar me çmimin e paraparë nga kompania projektuese për largimin e inventarit nga ndërtesa në “Ulpianë”, në një pjesë të të cilit objekt për vite e ka pasur selinë AAK-ja.