Dragan Naskoviqit i është caktuar të mërkurën masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin se ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë e kanë arsyetuar caktimin e masës së paraburgimit me pretendimin që në rast se i dyshuari lihet në liri, atëherë ekziston rreziku që ai të arratiset meqë është shtetas i Serbisë
Tridhjetë ditë paraburgim ia ka caktuar të mërkurën Gjykata Themelore në Prishtinë shtetasit serb, Dragan Naskoviq, i cili është arrestuar dy ditë më parë nën dyshimin se në periudhën kohore prej 13 deri më 30 prill të vitit 1999 e ka kryer veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.
Ai është i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit, në bashkëkryerje edhe me të tjerët, si dhe se si komandant i Nënstacionit policor në Zhegër të Gjilanit, në kohën e kryerjes së veprës penale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta ndaluar atë.
“Duke vepruar në përgjegjësinë komanduese, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim që të parandalonte apo ndëshkonte kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serbë, të kryera më 30.4.1999 nga i pandehuri S.A., ku janë vrarë 13 anëtarë të familjeve Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni. Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmerrte veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme”, është bërë e ditur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar pas seancës dëgjimore të së mërkurës se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe se çfarëdo mase tjetër do të ishte e pamjaftueshme.
“Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N., nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë dhe ai mund të jetë i paarritshëm për fazat e tjera të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Dragan Naskoviqi, i cili është arrestuar të hënën në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit për paraburgim.
Prokuroria Speciale ka ngritur së fundi disa akuza për krime, të cilat janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në gusht kjo Prokurori ka dorëzuar në gjykatë edhe një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej vitit 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykata vendore.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.