LAJMET E MBRËMJES

Polemikë mes anëtarëve të KQZ-së rreth buxhetit shtesë për zgjedhjet lokale

Ilir Gashi, anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), ka akuzuar Qeverinë në detyrë për mosmiratimin e buxhetit për zgjedhje, teksa ka kërkuar që ndarja buxhetore të bëhet me urgjencë. Në këtë i ka reaguar anëtari i KQZ-së nga radhët e (LVV), Alban Krasniqi, tek ka thënë që Qeveria ka ndarë buxhet dhe se fjala është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat KQZ-ja ia ka parashtruar ekzekutivit një javë më parë

Procesi i ndarjes së buxhetit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nxitur përplasje mes përfaqësuesve të partive politike që janë në përbërje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ilir Gashi, anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), ka akuzuar Qeverinë në detyrë për mosmiratimin e buxhetit për zgjedhje, teksa ka kërkuar që ndarja buxhetore të bëhet me urgjencë.

“E kam një pyetje për ju, po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është miratuar nga ana e Qeverisë dhe unë mendoj që ju duhet të komunikoni, sepse mosmiratimi i shpejtë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore, kryesisht operacionet të cilat tashmë janë të reja, dhe sidomos sa i përket votimit të diasporës”, është shprehur Gashi gjatë mbledhjes të së martës të KQZ-së.

Në këtë ka reaguar anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi, tek e ka akuzuar anëtarin e PDK-së për politizim dhe dezinformim.

“E dezinformove publikun. Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet. Për të gjitha rastet që kemi pasur, Qeveria i ka ndarë”, ka theksuar ai. 

Krasniqi ka thënë Qeveria ka ndarë buxhet dhe se fjala është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat KQZ-ja ia ka parashtruar ekzekutivit një javë më parë. 

Çështja ka nxitur debat më të gjerë mes dy anëtarëve të KQZ-së.

“Nuk është e vërtetë që Qeveria nuk ka ndarë buxhet.... Buxheti për këto zgjedhje tashmë është ndarë. “Çështja është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat ne vetë si institucion nuk i kemi planifikuar. Në anën tjetër, është e nevojshme që të kërkojmë buxhet shtesë. Që një javë e kemi bërë kërkesën. Sa ju kërkojmë institucioneve, duhet t’i kërkojmë edhe vetes që t’i kryejmë punët tona, natyrisht edhe institucionet tjera presim që t’i kryejnë”, ka thënë Krasniqi i LVV-së.

Në këtë i është kundërpërgjigjur Gashi.

“Nuk e kisha fjalën për buxhetin si tërësi, por e kisha fjalën për buxhetin, për kërkesat e veçanta, të cilat operacione zgjedhore... të cilat synojmë t’i realizojmë për herë të parë këto zgjedhje”, është shprehur anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së.

Polemika ka vazhduar me kundërpërgjigjen e anëtarit nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Një prej kërkesave që i është parashtruar Qeverisë ka të bëjë për një softwer, i cili neve na ka dështuar dhe për të cilin ne kemi pasur mbështetje financiare”, është shprehur ai.

Krahas polemikës mes Gashit e Krasniqit, në mbledhjen e së martës të KQZ-së është marrë vendim për emërimin e 216 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) në 38 komuna, e të cilët do të përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike.

Në KQZ kanë njoftuar të martën se ka përfunduar afati për aplikimin për koalicione për zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 12 tetor. Sipas KQZ-së, gjatë afatit 15-ditor janë regjistruar dy koalicione teksa pesë parti politike janë tërhequr nga gara. Për certifikim si koalicione kanë aplikuar “Koalicija Vakat”, e cila përbëhet nga partitë politike “Demokratska Stranka Bošnjaka” (DSB) dhe 

“Demokratska Stranka Vatan” (DSV), si dhe koalicioni “SDU-NAŠA (NAŠA SDU)”, i përbërë nga “Socijaldemokratska Unija” dhe “Naša Inicijativa” e i cili është formuar vetëm për Komunën e Prizrenit. E njoftimet për tërheqje nga gara elektorale i kanë bërë “Organizata Balli Kombëtar Demokrat” (OBKD), Partia Demokratike e Diasporës (PDD), Partia e Drejtësisë (PD), “Kosovaki Nevi Romani Partia” (KNRP) dhe Partia Balliste (PB).