LAJMET E MBRËMJES

Prishtina në Ditën e Çlirimit kujton kontributin dhe sakrificën e heronjve dhe qytetarëve

Prishtina të shtunën ka shënuar Ditën e Çlirimit, duke nderuar ata që ranë për lirinë e vendit e duke kujtuar sakrificën e qytetarëve. Ceremonia e festimeve në 23-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, të shtunën, nisi duke vënë kurora lulesh pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, te Varrezat e Dëshmorëve, si dhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti. Në “Kino Armata”, shtëpitë-shkolla kanë qenë tema e aktivitetit kryesor. Po këtë ditë, Komuna ka shpallur “Qytetar Nderi të Prishtinës” gazetarin britanik, Vaughan Smith, për raportimet e tij gjatë luftës në Kosovë

Intonimi i Himnit Kombëtar ishte pjesa hyrëse e ngjarjes së organizuar nga Komuna e Prishtinës për nder të Ditës së Çlirimit të kryeqytetit. Në “Kino Armata” programi ka vazhduar me shfaqjen e dokumentareve të shkurtër për shtëpitë-shkolla, ekspozitën “Rruga e arsimit shqip”, të Shyqri Obërtincës, dhe ndarjen e mirënjohjeve për heronjtë e arsimit të asaj periudhe kohore. Mësimi në shtëpitë-shkollat në vitet 90-a, helmimi i nxënësve, ndërhyja e NATO-s në Kosovë u kujtuan të shtunën në 23-vjetorin e çlirimit të Prishtinës.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë dhe ministri i parë i Arsimit në Kosovën e pasluftës, Rexhep Osmani, ka ndarë me publikun histori të asaj periudhe.

“Zhvillimi i arsimit në Kosovë në harkun kohor 44-99 ka kaluar nëpër rrugë të vështirë, të mundimshme dhe me plot sakrifica. Në vitet e 70-a, zhvillimi i arsimit, kulturës dhe shkencës pati një ngritje cilësore. Në periudhën kohore 81-90, Serbia i kishte shtrirë kontrollin e saj në të gjitha institucionet e arsimit. Këto ditë mbushen 30 vjet kur Kosova filloi zbatimin e dokumentacionit publik të dëftesave, të diplomave me logon Republika e Kosovës. Lidhja e Arsimtarëve ishte forca kryesore që përcaktoi dhe u përpoq për zhvillimin e arsimit në Kosovë”, ka thënë Osmani.

11 Qershori u shënua edhe me të tjera aktivitete. U vunë kurora lulesh te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, te Varrezat e Dëshmorëve, si dhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e kësaj dite, duke çmuar lart sakrificën dhe kontributin e secilit për liri.

“Është me rëndësi shumë të madhe që t’i respektojmë, nderojmë edhe të mendojmë për secilin pjesëtar të komunitetit, pra për dëshmorët tanë, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për personat se ishim edhe te varri i presidentit Rugova, që kanë dhënë shumë për çlirimin e kryeqytetit, për familjet që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre e që mandej prapë kanë besuar dhe janë kthyer për t’i zhvilluar jetët e tyre në kryeqytet, për ta ndërtuar prapë jetën dhe kryeqytetin së bashku, për familjet të cilat i kanë lëshuar shtëpitë e tyre, i kanë transformur në shkolla dhe në spitale për t’i ndihmuar asokohe luftëtarëve tanë për çlirim”, ka thënë Rama.

Edhe përfaqësuesi i UÇK-së, Fatmir Sopi, ka nderuar luftëtarët dhe dëshmorët e luftës çlirimtare.

“Sot në këtë ditë të madhe mund të themi vetëm respekt dhe lavdi për të gjithë ata që u sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë e Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi. Respekt për heronjtë, dëshmorët dhe gjithë ata që në çfarëdo kohe, në të gjitha periudhat e historisë sonë dhanë kontribut për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Sopi.

23-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit e ka kujtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke përmendur edhe rolin dhe kontributin e paqeruajtësve.

“23-vjet më parë, Prishtina e ndjeu lirinë. Në kujtim të kësaj dite, përulemi para të gjithë atyre që ndihmuan dhe kontribuuan për lirinë tonë. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së nga njëra anë dhe paqeruajtësit e NATO-s nga ana tjetër, mundësuan realizimin e ëndrrës së brezave për liri e pavarësi. Do ta kujtojmë përherë këtë ditë, duke nderuar të gjithë dëshmorët që ranë, duke e mirëmbajtur lirinë tonë dhe duke e forcuar Republikën çdo ditë e më shumë!”, ka shkruar Osmani.

Në këtë ditë, Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti një seancë solemne, ku shpallën “Qytetar Nderi të Prishtinës” gazetarin britanik, Vaughan Smith, për raportim e tij gjatë luftës në Kosovë.

Aktivitetet janë përmbyllur me gala-koncertin “Thirrje për paqe” në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë.

Prishtina shënon Ditën e Çlirimit një ditë para asaj që njihet si Dita e Çlirimit të Kosovës, 12 Qershori, kur trupat e NATO-s zbarkuan vend.