Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria kërkon 15 vjet burgim për Gjokoviqin e akuzuar për krime lufte

Milorad Gjokoviq

Në fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, Prokuroria Speciale ka kërkuar që ai të marrë dënim prej 15 vjetësh. Sipas aktakuzës, Gjokoviq si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit e torturës ndaj dhjetëra civilëve shqiptarë

Dënim prej 15 vjetësh është kërkuar për Millorad Gjokoviqin, i akuzuar për krime lufte.

Në fjalën përfundimtare, të martën në Prishtinë, prokurori special, Ilir Morina, ka thënë se i akuzuari për krime lufte në Ozdrim të Pejës, i njohur me nofkën “Mici”, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë në vrasje më 7 maj të vitit 1999.

“Ata ishin fqinjë, i njihnin njëri-tjetrin, i njihnin shtëpitë e njëri-tjetrit. Por më 7 maj disa prej atyre që dikur ishin fqinj u bënë pjesë e një force të armatosur që solli vdekjen, vuajtjen dhe shkatërrimin. Prokuroria konsideron se është provuar përtej çdo dyshimi se i pandehuri, i njohur me nofkën Mici, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore paramilitare serbe ka marrë pjesë në kryerjen e vrasjeve në fshatin Ozdrim dhe fshatrave përreth”, ka thënë Morina.

Prokurori Morina ka theksuar se vrasja e Eset Morinës tregon përgjegjësinë në krime që kanë pasur pjesëtarët e forcave serbe, pjesë e së cilës ishte edhe i pandehuri Gjokoviq.

Ai ka bërë të ditur se një dokument zyrtar tregon se i akuzuari ishte pjesë e strukturave policore serbe.

Edhe Pritet të nisë gjykim në mungesë ndaj tre të akuzuarve për krime lufte në Ozdrim të Pejës Arbëri 3 muaj më parë Pritet të nisë gjykim në mungesë ndaj tre të akuzuarve për krime lufte në Ozdrim të Pejës

“Lista e rezervistëve të rajonit të Pejës. Emri i Milorad Gjokoviqit është i renditur në pozitën numër dy. Në kuptimin objektiv, nga deklaratat e dëshmitarëve rezulton se Agim Shala e identifikon Micin si person me rol drejtues në zonë. Abdullah Gashi e identifikon Micin së bashku me Momçilo Vukotiq, Ranko Vllahoviq dhe Adem Çatoviq si pjesë të strukturës policore që atë ditë po vepronin në Ozdrim”, ka thënë Morina.

Ai ka thënë se viktimat dhe familjet kërkojnë drejtësi e jo hakmarrje. 

E dëshmitari në këtë rast, Ferat Morina, është shprehur se ia lë drejtësisë të vendosë për përgjegjësinë e të akuzuarit.

“E lë drejtësia si vendos. Kërkoj për vete kur kam qenë i zënë rob dhe vëllai që më është vra, kërkoj që të më paguhet demi dhe si i burgosur që kam qenë”, ka thënë dëshmitari Morina.

Edhe 15 vjet burgim për Kostiqin e 7 për Miloviqin, të akuzuar për krime lufte në Vushtrri LAJMET E MBRËMJES 4 muaj më parë 15 vjet burgim për Kostiqin e 7 për Miloviqin, të akuzuar për krime lufte në Vushtrri

Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. 

Ai akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të shqiptarëve.