LAJMET E MBRËMJES

Shaqir Totaj: Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite

Kjo nuk është PDK-ja për të cilën është punuar e investuar me vite, ka thënë Shaqir Totaj, kryetar i Prizrenit dhe i degës së kësaj partie në këtë komunë. Reagimi i tij u bë pas shpërputhjes së madhe të votave të kandidatëve të PDK-së pas rinumërimit në Prizren. Ka reaguar edhe Fikrim Damka, kryetari i partisë turke KDTP, i cili ka humbur ulësen në Kuvend pas rinumërimit në këtë qytet

Kryetari i Prizrenit dhe i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Shaqir Totaj, ka shprehur zhgënjimin me atë që po e përcjell subjektin politik, të cilit i përket.

Gjatë rinumërimit të të gjitha vendvotimeve në Prizren, kandidatët e PDK-së ka dalë se kanë shpërputhjen më të madhe të votave krahasuar me rezultatet fillestare.

Totaj në një postim në Facebook ka thënë se kjo nuk është PDK-ja në të cilën është punuar me vite.

“Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka shkruar Totaj.

Nga kandidatët e PDK-së për deputetë nga rajoni i Prizrenit, Fetah Paçarizit i janë hequr mbi 6.000 vota pas rinumërimit, Nait Hasanit mbi 3.400 e Kujtim Gashit mbi 2.300.

Nga rinumërimi në Prizren, vota ka humbur edhe ministri në detyrë Fikrim Damka. Madje, ai ka humbur edhe ulësen në Kuvend, të cilën e fitoi bazuar në rezultatet fillestare.

Në një reagim të tij, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Damka, është shprehur se po bëhet një luftë për të dëmtuar imazhin e tij.

“Së fundmi, sulmet dhe pretendimet e pabazuara që më synojnë mua kanë vetëm një qëllim: të errësojnë arritjet e fituara dhe të minojnë vullnetin tonë shoqëror. Ne jemi gjithmonë të hapur ndaj çdo kritike konstruktive dhe me qëllim të mirë; megjithatë, është e pamundur që të na devijojnë këto atentate ndaj reputacionit, të kryera me qëllime të pista. E vërteta do të zërë vend si në ndërgjegjen e popullit, ashtu edhe përpara ligjit”, tha Damka.

Në fakt, shpërputhje të votave ka te kandidatët e të gjitha partive.

Si pasojë e kësaj, të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë Kosovën.