Në vizitën e saj të parë në Kosovë që nga formimi i ekzekutivit të ri, Spiropali ka takuar homologun e saj kosovar, Glauk Konjufca. Ajo ka theksuar se viti 2026 duhet të jetë për Kosovën momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar teksa ka shtuar se integrimi evropian i Kosovës është test i koherencës së vetë BE-së dhe se meriton të ketë një rrugë të qartë drejt bllokut. Spiropali ka bërë zotimin se Kosova është prioritet absolut i politikës së Jashtme të Shqipërisë ndërsa ka paralajmëruar edhe mbajtjen sivjet të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive
Shqipëria do ta intensifikojë angazhimin diplomatik për t’i sjellë njohje të reja Kosovës dhe përparim në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, është zotuar të mërkurën ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Në vizitën e saj të parë në Kosovë që nga formimi i ekzekutivit të ri, Spiropali fillimisht ka takuar homologun e saj kosovar, Glauk Konjufca. Pas këtij takimit, ajo ka theksuar se viti 2026 duhet të jetë për Kosovën momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtësisht me të gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo nuk është retorikë sovraniteti e as formulë diplomatike, por është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë, përveç se është dëshirë e jonë e zemrës”, është shprehur Spiropali.
Ajo ka shtuar se integrimi evropian i Kosovës është test i koherencës së vetë Bashkimit Evropian (BE), ndërsa ka thënë që Kosova meriton të ketë një rrugë të qartë drejt bllokut.
“Kosova ka dëshmuar qartësi euroatlantike, përkushtim ndaj reformave dhe stabilitet institucional. Ky përkushtim duhet të përkthehet në vendime konkrete, sigurisht heqja e masave shtrënguese ishte pa diskutim një domosdoshmëri”, ka thënë ajo. “Ne besojmë që Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe politika e zgjerimit e BE-së duhet të përdoret si një armë e fuqishme gjeostrategjike e BE-së për të mos lejuar që Ballkani Perëndimor të influencohet nga forca malinje, apo të ndikohet në procese që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit”.
Lidhur me dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, kryediplomatja shqiptare ka thënë se Beogradi zyrtar duhet të pajtohet me realitetin dhe se njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për marrëdhëniet e shëndosha mes shteteve.
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur, dialogu mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme dhe për stabilitet afatgjatë rajoni. Por stabiliteti nuk ndërtohet mbi mohimin e realitetit, realitet është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë ajo, duke shtuar se marrëveshja me Serbinë duhet t’i hapë rrugën për anëtarësim të plotë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
E Konjufca ka bërë të ditur se me Spiropalin ka diskutuar për thellim të bashkëpunimit politik dhe ekonomik si edhe për koordinim të plotë në politikën e jashtme.
“Jam i bindur që koordinimi ynë do ta fuqizoj përpjekjen e Kosovës për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës edhe për përafrimin tonë drejt NATO-së, dhe në organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Të dy ministrat kanë paralajmëruar gjithashtu se sivjet do të mbahet mbledhja e përbashkët dy qeverive, e cila do të jetë e para në katër vjetët e fundit.
“Besojmë fort që ka ardhur koha që brenda 2026 të kemi një takim të përbashkët të të dy qeverive në Shqipëri ose në Kosovë”, ka deklaroi Spiropali.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Spiropali ka folur edhe për gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë duke u gjykuar në Hagë. Ajo ka theksuar se drejtësia për ta duhet të jetë e plotë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare të një populli të tërë, nuk mund të injorohet fakti se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrim etnik dhe krime masive ndaj popullsisë shqiptare”, ka theksuar kryediplomatja e Shqipërisë.
Ajo, pas Konjufcës, është pritur në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe nga kryeministri Albin Kurti.
Në Zyrën e Presidentit kanë thënë se Osmani ka njoftuar në rrjete sociale se gjatë takimit ka shprehur qëndrimin se marrëdhëniet me Shqipërisë nuk janë “vetëm vëllazërore, por edhe strategjike, të natyrshme dhe të pazëvendësueshme”.
“Kosova dhe Shqipëria mbeten më të forta kur veprojnë së bashku për interesat tona shtetërore, për paqen dhe për një të ardhme më të sigurt në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E kryeparlamentarja Haxhiu ka bërë të ditur se ministren Spiropali kanë shkëmbyet mendime për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi dhe përkrahja e ndërsjellë mbeten qendrore për zhvillimin tonë të përbashkët dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Haxhiu, pas takimit.