As pas pesë takimesh, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk u morën vesh për zgjedhjen e presidentit të ri, derisa kanë mbetur edhe 7 ditë afat i dhënë nga Kushtetuesja. Abdixhiku njoftoi se ka refuzuar dy oferta, e para të përfshihet në Qeveri si zëvendëskryeministër dhe LDK-ja t’i ketë 4 ministri, dhe e dyta, që erdhi pas refuzimit të së parës, që posti i kryekuvendarit t’i takojë partisë së Abdixhikut, e nënkryetarin ta marrë Vetëvendosje
Se kujt duhet t’i takojë pozita e presidentit nuk u mor vesh as pas takimit të pestë mes kryetarit të Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrit Albin Kurti me kreun e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, të dy liderët u dakorduan që të mos zhvillojnë më takime për këtë çështje, tek afati kushtetues shteron pas shtatë ditësh.
Dy ofertat e Kurtit nuk bindën Abdixhikun për arritjen e një marrëveshjeje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE para parashihte që Abdixhiku të merrte postin e zëvendëskryeministrit dhe LDK-ja katër ministri, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme që aktualisht drejtohet nga kandidati për president, Glauk Konjufca.
Pas refuzimit të përfshirjes në qeveri, oferta e dytë ishte një rokadë mes nënkryetarit të Kuvendit nga LDK-ja dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Por, sipas Abdixhikut, asnjëra prej këtyre nuk garanton ndarje reale të pushtetit.
Ai theksoi se kontrolli mbi ekzekutivin dhe legjislativin mbetet te subjekti që ka numrat në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosje.
“Ne ishim në diskutim për çështjen e presidentit. Pra unë refuzova të flasim për çkado tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit, sepse problemi ishte presidenti, jo Qeveria. Kosova ka Qeveri, ka edhe Kuvend, por nuk ka president. Nuk mund të propozojmë dikë, kur insiston që presidenti të mbetet i partisë së tij. Nuk është çështje propozimesh e lajmeve mediatike. Me LDK-në, Vetëvendosje nuk ka diskutuar asnjë emër përveç Glauk Konjufcës”, ka deklaruar Abixhiku pas takimit.
E kryeministri Kurti tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve, pasi, siç tha, është vendosur në një pozitë të vështirë ku ofertat i refuzohen e palët nuk japin propozime.
“Vetë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka konsideruar asnjëherë që asaj i takon presidenti. Pra ju duhet ta kuptoni situatën e vështirë në të cilën ndodhem unë, nuk mund të bëhem unë më LDK se LDK-ja. Pra vetë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka konsideruar që asaj i takon pozita e presidentit dhe nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, unë nuk mund të kërkoj në negociata çka nuk kërkohet nga pala tjetër”, ka thënë Kurti.
Lideri i LVV-së tha se i ka dërguar mesazh kryetarit të Partisë Demokratike, Bedri Hamza, për një takim. Por ofertat që ia ka bërë Abdixhikut nuk vlejnë edhe për partinë e dytë.
Refuzimin për takim nga kjo parti, Kurti e cilësoi si shmangie nga realiteti politik i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Ka njëfarë bojkoti. Mund të hulumtoni me palën tjetër se si është e mundur të thuash se dua që të merremi vesh, por ja që nuk pranoj që të takohemi. Ju e mbani mend edhe vitin e kaluar çfarë bllokade. Por duke që 28 dhjetori po mohohet thua se nuk ka ndodhur asgjë atë ditë, e thua se edhe më tutje ndodhemi në vitin 2025, unë nuk e di për të tjerët, por besoj që viti është 2026”, është shprehur ai.
Dështimi i marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së, sipas Kurtit, e çon vendin drejt zgjedhjeve.
Meqë nuk do të ketë më takime, Abdixhiku tha se do t’u kthehet përpjekjeve për një bashkim të së djathtës, që përfshin rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK.
Për këtë, Abdixhiku tha se do të punojë “deri në pikën e fundit” dhe se ndaj ish-presidentes, e cila e pati braktisur LDK-në, për t’u bërë bashkë me Kurtin, tha se nuk ka kushte.
“Bashkimi nuk kërkon kushte, kërkon afrim, koordinim të mbarë, shikim drejt së ardhmes, një alternativë konkrete për vendin, diçka që është më serioze që nuk prodhon kriza të vazhdueshme, por që punon për qytetarin”, ka thënë Abdixhiku.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill. Kalimi i këtij afati, pa zgjidhje nënkupton zgjedhje brenda 45 ditësh.
Në këto rrethana, zgjedhjet mund të mbahen më së largu më 7 qershor.