Njoftimi për daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë do të mbetet në fuqi, bënë të ditur në ZRRE, tek vlerësuan se vendimi i së martës i Gjykatës Komerciale ka të bëjë veç me një rast individual. E Oda Ekonomike e ka paraqitur këtë si pezullim të vendimit për të gjitha bizneset. Kryetari i OEK-ut thotë se edhe bizneset e tjera kanë paraqitur padi. E vendimi i Komerciales lidhet me kriteret për daljen në treg të hapur
Në Zyrën e Rregullatorit për Energji bënë të ditur se njoftimi për daljen e bizneseve të mëdha në treg të hapur të energjisë do të mbetet në fuqi dhe vendimi i së martës i Gjykatës Komerciale lidhet veç me një biznes.
Në këtë institucion i reaguan Odës Ekonomike, që gjatë ditës njoftoi se Komercialja ka marrë vendim për pezullimin e njoftimit të ZRRE-së.
Në ZRRE thanë se fjalë është për një rast individual që ka të bëjë me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal dhe se aktvendimi nuk e nënkupton pezullimin e gjithë procesit të liberalizimit të tregut.
“ZRRE-ja do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike”, tha ZRRE.
Në vendimin e Komerciales për kompaninë “REKS” thuhet se paditësi e argumentoi faktin që ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm.
“Gjykata gjeti se ekzekutimi i njoftimit kontestues paditësit do t’i sillte dëme vështirë të riparueshëm, pasi që paditësi, me rastin e aplikimit dhe me padi, ka dorëzuar Formularin e deklarimit vjetor dhe pagesës për tatimin në të ardhurat e korporatave për vitin 2024, në të cilën janë deklaruar të ardhurat bruto në vlerë prej 6,489,832.30€, ashtu që është konstatuar qarkullimi vjetor jo më shumë se 10 milionë euro”, thuhet në vendimin e Komerciales.
Por, këtë vendim, Oda Ekonomike e paraqiti si vendim për pezullim të njoftimit për të gjitha bizneset, tek i kërkoi ZRRE-së ta pezullojë njoftimin dhe ta ndalojë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se padia ka qenë individuale pasi që Oda Ekonomike nuk ka pasur të drejtë që të bëjë padi për 1 mijë e 300 biznese.
“Mundësia e vetme ligjore ka qenë kjo, meqenëse nuk ishte vendimi, një akt administrative ai i ZRRE-së, por ishte vetëm një njoftim, secili biznes mund ta atakojë atë. Janë qindra padi të tjera të bizneseve për njoftimin e ZRRE-së. Ky vendim i sotëm është i pari. Do të ketë vendime të tjera të Gjykatës Komerciale. Është lajm shumë i mirë për bizneset”, tha Rafuna.
Reagim të njëjtë bëri edhe Dhoma e Tregtisë, që e mirëpriti vendimin e Komerciales.
Nga 1 qershori, bizneset me qarkullim prej mbi 10 milionë euro ose me mbi 50 punëtorë janë detyruar të zgjedhin vetë furnizuesit për energji. Bizneset që nuk e kanë zgjedhur furnizuesin, mund të lidhin kontrata me KEK-un për një periudhë deri në 6 muaj. Deri më 19 qershor, janë nënshkruar mbi 360 kontrata me konsumatorët që kanë dalë në treg të hapur e që llogaritet të jenë rreth 1 mijë e 300 biznese.