Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Zyrtari i ZPS-së konfirmon se Remi dhe Zyrapi shpalosën vetë identitetet e tyre si dëshmitarë

hashim thaci speciale

Ka vazhduar edhe të hënën gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë. Një zyrtar i Prokurorisë Speciale, si dëshmitar i mbrojtur, i ka thënë gjykatës se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi e kanë zbuluar vetë se do të jenë dëshmitarë në Hagë

Dëshmitari i mbrojtur, i prezantuar si zyrtar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka deklaruar se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi i kanë shpalosur vetë identitetet e tyre si dëshmitarë në gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ish-drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu. 

Akuzat në këtë rast lidhen me tentim-ndikimin te dy dëshmitarët: Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, si dhe Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 
“Hashim Thaçi zbuloi identitetet e dëshmitarëve ndërkohë që identitetet e tyre dhe përmbajtja e dëshmive që pritej t’i jepnin ishin klasifikuar si konfidenciale nga Dhomat e Specializuara në Hagë”, thuhet në aktakuzë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por mbrojtja, gjatë seancës të së hënës përmes dëshmitarit ka vënë në pikëpyetje këtë pretendim të prokurorisë. I pyetur nga avokatja se a është se saktë që disa dëshmitarë kanë shpalosur vullnetshëm faktin se ata do të ishin dëshmitarë të ZPS-së, dëshmitari u përgjigj se “kjo ka ndodhur në rastin 06”. Tha po ashtu se të akuzuarit si Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi e bënë publik edhe intervistimin nga ZPS-ja në kohën kur u morën në pyetje në cilësinë e të dyshuarve. 

Tek iu përgjigj pyetjeve të avokates Menegon, dëshmitari tha se nuk e kujton se cilit dëshmitar iu lëviz radha shkaku i veprimeve të të akuzuarve. 

“Së pari është disponueshmëria e dëshmitarit, a është apo jo - dhe ka arsye të ndryshme për të cilat dëshmitari mund të jetë i disponueshëm apo jo, mund të lidhet me shëndetin, punën dhe arsye të tjera”, tha dëshmitari.  

Ai tha se të gjitha hetimet për pengim të administrimit të drejtësisë lidhen me rastin më të madh të Speciales për krime lufte, ku pos Thaçit, të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. 

Në rastin për pengim të drejtësisë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për tentativë të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. 

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës, e Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. 
ZPS-ja pretendon se Thaçi u ka dhënë udhëzime të akuzuarve të tjerë gjatë vizitave të tyre në qendrën e paraburgimit për t’u çuar fjalë dëshmitarëve se si ata duhet të dëshmojnë për rastin më të madh të Speciales për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.