Kuriozitet

Çka është Halloweeni dhe pse festohet?

Halloween

Halloween

Foto: Associated Press

Halloweeni është një festë që kremtohet çdo vit më 31 tetor. Këtë vit ajo është sot. Origjina e saj lidhet me festivalin e lashtë kelt Samhain, një ceremoni ku njerëzit ndiznin zjarre të mëdha dhe vishnin kostume për të trembur shpirtrat e të vdekurve.

Në shekullin e 8-të, Papa Gregori III e shpalli 1 nëntorin si ditën për nderimin e të gjithë shenjtorëve. Me kohën, mbrëmja para kësaj dite u quajt “All Hallows’ Eve” (Mbrëmja e të Gjithë Shenjtorëve), që më vonë u shkurtua në ‘Halloween”, ka shkruar History Chanel.

Origjina e Halloweenit

Keltët, që jetonin para 2000 vjetësh në Irlandë, Britani dhe Francë, e konsideronin 1 nëntorin si fillimin e vitit të ri. Nata para kësaj dite, më 31 tetor, shihej si një periudhë kur bota e të gjallëve dhe e të vdekurve përzihej. Ata besonin se shpirtrat ktheheshin në tokë, prandaj ndiznin zjarre të mëdha dhe sakrifikonin kafshë për perënditë e tyre.

Druidët (priftërinjtë keltë) parashikonin të ardhmen, ndërsa njerëzit vishnin maska e lëkura kafshësh për t'i trembur shpirtrat. Pas festës, ata ndiznin zjarrin e shtëpisë me flakën e shenjtë për t’u mbrojtur gjatë dimrit.

Ndikimi romak dhe i krishterë

Pas pushtimit romak, dy festa romake u bashkuan me Samhain:

-Feralia, që nderonte të vdekurit; dhe

-Festa e Pomonas, perëndeshës së pemëve dhe frutave, simboli i së cilës ishte molla, duke shpjeguar lojën tradicionale të Halloweenit, “kapja e mollës” (bobbing for apples).

Në vitin 609, Papa Bonifaci IV e shndërroi Pantheonin e Romës në kishë kushtuar të gjithë martirëve, dhe Papa Gregori III e zgjeroi festën për të përfshirë të gjithë shenjtorët. Më vonë, 2 nëntori u bë Dita e të Gjithë Shpirtrave, që nderonte të vdekurit. Kështu, Kisha e shndërroi Samhainin pagan në një festë të krishterë, por traditat mbetën të ngjashme: zjarre, parada dhe kostume si engjëj, shenjtorë dhe djaj.

Si u përhap në Amerikë

Në fillim, Halloween nuk u festua në kolonitë e Amerikës, por u pranua në Maryland dhe në jug të vendit. Me ardhjen e emigrantëve evropianë, sidomos irlandezëve që iknin nga uria, festa mori formën që njohim sot.

Kartolinë e Halloweenit më 1922

Në shekullin XIX, u shndërrua në një festë komunitare, me festa, lojëra dhe maskime për fëmijë e të rritur. Gazetat e asaj kohe nxisnin njerëzit që ta largonin frikën dhe magjinë nga kjo ditë, duke e kthyer në një festë familjare.

Patricia Nixon, bashkëshortja e atëhershme e zëvendëspresidentit Richard Nixon, me vajzat e saj, Patricia 8-vjeçare dhe Julia  6-vjeçare, në Halloween-in e vitit 1954. Zonja Nixon i kishte bërë vetë kostumet.
Presidenti John Kennedy në zyrë me fëmijët e tij, Carolinën dhe John Jr, në kostume për Halloweenin e vitit 1963.
Presidenti Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary, të veshur si James dhe Dolly Madison, në festën e ditëlindjes së Hilaryt, që kishte organizuar për Halloween në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1993.
Zëvendëspresidenti Al Gore me bashkëshorten Tipper Gore, në vitin 1995 duke pozuar me kostume të inspiruara nga filmi i njohur i Disneyt, “Bukuroshja dhe Bisha”.

“Trick or Treat” dhe kungujt e ndriçuar

Tradita e “trick-or-treating” (kërkimi i ëmbëlsirave nëpër shtëpitë e lagjes) lindi nga zakonet angleze të Ditës së të Gjithë Shpirtrave, kur të varfrit kërkonin “soul cakes” (biskota për shpirtrat) në këmbim të lutjeve për të vdekurit. Me kalimin e kohës, këtë zakon e morën fëmijët që shkonin derë më derë për të kërkuar ëmbëlsira.

Një grup fëmijësh duke shkuar për të kërkuar ëmbëlsira nëpër shtëpitë e lagjes

Kungulli i gdhendur, ose “Jack-o’-lantern”, vjen nga një traditë irlandeze ku njerëzit gdhendnin perime për të trembur shpirtrat e këqij. Kur emigrantët shkuan në Amerikë, ata përdorën kungujt, që ishin më të mëdhenj dhe më të lehtë për t’u gdhendur.

“Jack-o’-lantern” apo kungujt e gdhendur

Simbolet dhe besëtytnitë

Halloween ka qenë gjithmonë një festë e magjisë e misterit. Në të kaluarën, njerëzit besonin se shpirtrat e të afërmve ktheheshin për një vizitë, ndaj linin ushqim në prag të shtëpisë për t’i mikpritur. Në ditët e sotme, megjithatë, macet e zeza dhe pasqyrat e thyera lidhen me fat të keq, një ndikim nga besimet mesjetare që lidhin shtrigat me macet e zeza.

Nga dashuria te filmat e frikshëm

Në Irlandën e shekullit XVIII, gratë e reja besonin se mund të “parashikonin” burrin e ardhshëm përmes zakoneve të Halloweenit. Një traditë popullore thoshte se kush gjente një unazë në pure patatesh atë natë, do martohej brenda vitit.

Në ditët e sotme, Halloween është bërë festa e dytë më fitimprurëse në SHBA pas Krishtlindjeve, me më shumë se 11 miliardë dollarë shpenzime çdo vit.

Në kinema, ajo ka prodhuar edhe një zhanër të tërë: nga filmi klasik i vitit 1978, “Halloween”, i regjisorit John Carpenter, që frymëzoi krijimin e filmave “Scream” dhe “Nightmare on Elm Street”, deri te filmat familjarë si “Hocus Pocus”, “The Nightmare Before Christmas” dhe “Beetlejuice”.