Kuriozitet

Përdor lopatë e mjete të tjera të pazakonta, floktari kenian Martins po bën bujë në rrjete sociale

Floktar  - Safari Martins

Safari Martins e dërgon klientin e tij Ian Njenga në një kasolle buzë një rruge rurale në Kiambu, në periferi të kryeqendrës së Kenisë, Nairobit. Në muret prej druri të kasolles janë të varura një lopatë, një hekur, gërshërë bujqësore dhe një çelës. Por, Njenga nuk është aty për të blerë pajisje. Ai është aty për t’i qethur flokët, shkruan agjencia “AP”. 

“Unë përdor vetëm pajisje jokonvencionale”, thotë Martins, duke buzëqeshur, pak çaste para se ta kalojë një teh të mprehtë si brisk mbi kokën e Njengas, duke prerë një tufë flokësh. 

Ai bën çuditërisht një prerje shumë të pastër dhe të saktë. 

Mjetet jokonvencionale janë shenjë dalluese për Martinsin, i cili është një nga floktarët më të njohur të Kenisë me rreth 1 milion ndjekës në secilën prej llogarive të tij në Instagram dhe TikTok, ku ai njihet si “Chief Safro”. 

Ndërsa bën prerje precize në kokën e Njengas, një ndihmës qëndron anash, duke kapur çdo moment nga kënde të ndryshme me telefonin e tij. 

Floktarët influencerë janë një trend i ri në Keni, ku përdorimi i rrjeteve sociale ka shpërthyer vitet e fundit dhe platformat si TikTok po përdoren si për argëtim ashtu edhe si një punë dytësore fitimprurëse. 

I lindur në Ruanda dhe tani me banim në Nairobi, Martins filloi të merrej me floktari qysh në shkollë të mesme në vitin 2018. Duke përdorur gërshërë të huazuara, ai nisi të ofronte prerje flokësh jashtë klasave shkollore dhe në konvikte të ngushta. Pesë vjet më vonë, ai shtoi një aparat fotografik në pajisjet e tij dhe hoqi gërshërët konvencionale. Ai nuk u kthye më te gërshërët. 

Martins u bë viral me metodat e tij të çuditshme prej floktari, por ai ka përfshirë gjithnjë e më tepër motive tradicionale afrikane në zërat e videove të tij. 

“Jam i motivuar nga kultura afrikane, nga historitë afrikane”, thotë ai, duke se një nga mjetet e tij, një kuti hekuri e mprehtë, u bekua nga pleqtë e fshatit. 

Aftësitë e tij si floktar, por edhe popullariteti i tij, e kanë bërë atë shumë të kërkuar. 

“Nëse e krahasoj atë me floktarë të tjerë, talenti i tij është në nivel tjetër”, thotë Njenga, i cili e vizitoi Martinsin për herë të parë. “Kur prej flokët këtu ndihem shumë rehat”. 

Përvoja jo e zakonshme dhe pesë minuta famë në rrjetet sociale janë të mjaftueshme që klientët të paguajnë dukshëm më tepër. Martins kërkon deri 1500 shilinga keniane (rreth 12 dollarë), për një prerje flokësh. Është çmimi më i lartë në Nairobi, ku burrat zakonisht paguajnë rreth një të dhjetën e kësaj shume në vende tjera. 

Popullariteti i Martinsit dhe floktarëve të tjerë që krijojnë përmbajtje ka ardhur pas rritjes marramendëse të mediave sociale në Keni. Në janar të vitit 2023, kishte vetëm rreth 10.6 milionë përdorues të mediave sociale në Keni, sipas DataReportal, një grup kërkimor tregu. Deri në janar të vitit 2025, ku numër u rrit në 15.1 milionë. 

Me monetizimin e përmbajtjes është bërë e mundur të sigurohen të hyra të reja. 

Por, Martins ankohet se floktarët nuk marrin të njëjta shpërblime si krijuesit tjerë të përmbajtjeve dhe ka të drejtë. Disa nga krijuesit më të paguar janë ata që bëjnë përmbajtje lojërash, edukimi apo stili jetese, sipas Fundmates, një kompani që financon influencerët. 

“Floktarët bëhen viral në rrjete sociale, por unë nuk mendoj se ata respektohen. Nuk paguhesh si krijues i përmbajtjeve, edhe pse ke shikime, edhe nëse ke angazhime”, thotë Martins.