Sulmi në zemër rrallë herë mund të ndodhë pa paralajmërim.
Sipas të dhënave shëndetësore të më shumë se 9 milionë e të rriturve në Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gati secili që zhvillon sëmundje të zemrës e pëson problem të madh kardiovaskular, ka një ndër katër faktorët e rrezikut që ka çuar në atë gjendje, ka raportuar Science Alert.
Këta faktorë përfshijnë tensionin e lartë të gjakut, nivelin e lartë të yndyrës së pashëndetshme në gjak, nivelin e lartë të sheqerit në gjak dhe konsumimin e duhanit (ose në të kaluarën ose në të tashmen).
Edhe tek gratë nën 60 vjeç, grupi me rrezikun më të ulët të problemeve kardiovaskulare, më shumë se 95 për qind e sulmeve në zemër kishin lidhje me një nga këta katër faktorë rreziku.
Tensioni i lartë i gjakut ishte faktori më i shpeshtë që lidhej me problemet shëndetësore të zemrës. Në të dyja vendet, si në SHBA, si në Korenë e Jugut, më shumë se 93 për qind e individëve që kanë përjetuar sulm në zemër apo probleme të tjera me të, kanë pasur hipertension paraprakisht.
Menaxhimi i faktorëve të rrezikut mund te jetë çelës për parandalimin e sëmundjeve serioze kardiovaskulare.
“Ne mendojmë se studimi bindshëm tregon se ekspozimi ndaj një ose më shumë faktorëve të rrezikut para rezultateve të këqija kardiovaskulare, është pothuajse 100 për qind”, ka thënë kardiologu Philip Greenland nga Northwestern University.
Ai ka shtuar se qëllimi është të punohet më shumë për të gjetur mënyra për t’i kontrolluar këta faktorë rreziku të modifikueshëm, sesa të dilet jashtë rrjedhave duke ndjekur faktorë të tjerë rreziku, të cilët nuk trajtohen lehtë dhe nuk janë të zakonshëm.
Autorët kanë cekur se rezultatet e studimit që kanë bërë sfidojnë pretendimet që janë bërë së fundmi se po rriten problemet e fshehta kardiovaskulare që ndodhin pa faktorë rreziku, duke sugjeruar se studimet e mëparshme mund te kenë diagnostikuar gabim nivelin e faktorëve të rrezikut që ishin nën pragun klinik të diagnostikimit.
Përmes një shkrimi përcjellës, kardiologia Neha Pagidipati nga Duke University, e cila nuk ishte e përfshirë në studim ka thënë se rezultatet tregojnë sa e rëndësishme është të menaxhohen faktorët e rrezikut para se ata të mund të çojnë në ngjarje serioze e potencialisht fatale.
“Ne mundemi e duhemi që të punojmë më mirë”, ka shkruar ajo.
Studimi është publikuar në Journal of the American College of Cardiology.