Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ajri i ndotur ndikon për të keq në funksionimin e gjeneve në spermë

Ndotja e ajrit

Një studim i ri ka zbuluar se ndotja e ajrit mund të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë gjenet në spermë, duke rritur shqetësimet se ajri i ndotur mund të ndikojë në fertilitetin mashkullor, ka shkruar The Guardian.

Hulumtimi, i prezantuar në takimin vjetor të European Society of Human Reproduction and Embryology në Londër, përfshiu më shumë se 2.000 burra dhe është një nga studimet më të mëdha të këtij lloji.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studiuesit zbuluan se ekspozimi ndaj ndotësve të zakonshëm të ajrit, sidomos ozonit dhe dioksidit të azotit, lidhej me ndryshime në ADN-në e spermës. Këto ndryshime nuk e tjetërsojnë kodin gjenetik, por ndikojnë në mënyrën se si aktivizohen ose çaktivizohen gjenet.

“Gjetjet tona sugjerojnë se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë fazave të rëndësishme të zhvillimit të spermës mund të lidhet me ndryshime në ADN-në e saj”, ka thënë drejtuesja e studimit, Carrie Nobles.

Studimi ndoqi burrat në periudhën 2013-2017. Ata dhanë mostra të spermës disa herë gjatë gjashtë muajve, ndërsa studiuesit llogaritën nivelin e ekspozimit të tyre ndaj ndotësve të ajrit gjatë tre muajve para marrjes së secilës mostër, periudhë në të cilën prodhohet sperma.

Shkencëtarët identifikuan 39 ndryshime në ADN që lidhen me ndotjen e ajrit. Një nga gjenet e prekura, i quajtur GNAS, është lidhur edhe më parë me cilësi më të dobët të spermës dhe me zhvillimin e fetusit.

Megjithatë, Nobles ka theksuar se nevojiten studime të tjera për të vërtetuar nëse këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt në fertilitet.

“Ndryshimet në shprehjen e gjeneve mund të ndikojnë në fertilitetin e meshkujve. Për këtë arsye, kjo fushë kërkimore është shumë e rëndësishme. Megjithatë, duhen studime të tjera për të provuar lidhjen e drejtpërdrejtë mes ndryshimeve në ADN-në e spermës dhe fertilitetit”, ka thënë ajo.

Edhe Allan Pacey nga University of Manchester, i cili nuk mori pjesë në studim, ka thënë se është vërejtur një efekt i matshëm por se nuk mund të thuhet se kanë rëndësi klinike për infertilitet.

“Në këtë fazë nuk mund të themi nëse këto ndryshime kanë rëndësi klinike për infertilitetin mashkullor. Kjo duhet të konfirmohet me studime të mëtejshme”, ka shtuar ai.

Ndërsa Richard Lea nga University of Nottingham e ka cilësuar studimin si një kontribut të rëndësishëm.

“Ky studim u shtohet provave gjithnjë e më të shumta se ndotja e ajrit ndikon negativisht në cilësinë e spermës”, ka thënë Lea.