Lifestyle

Çfarë të hani dhe pini para dhe pas vaksinës kundër gripit

Vaksina kundër gripit

Vaksina kundër gripit

Foto: Associated Press

Për të shmangur komplikimet nga gripi sezonal, ekspertët theksojnë se koha më e mirë për të marrë vaksinën kundër gripit është vjeshta, përpara se të fillojë sezoni i viruseve, ka shkruar EatingWell.

“Vaksina kundër gripit, së bashku me larjen e duarve, është një nga mbrojtjet tona më të mira kundër kësaj sëmundjeje ngjitëse dhe shpesh të bezdisshme”, ka shpjeguar mjeku Jonathan Yadlosky.

Sipas Patricia A. Stinchfield, infermiere dhe specialiste pediatrie, rekomandohet që të gjithë personat mbi 6 muaj të vaksinohen çdo vit.

“Kështu mbroni jo vetëm veten, por edhe familjen, kolegët dhe njerëzit me të cilët takoheni çdo ditë”, ka thënë ajo.

Nëse jeni të shqetësuar për dhimbjen ose lodhjen pas vaksinës, mjekët dhe dietologët sugjerojnë disa hapa të thjeshtë në ushqim dhe hidratim që mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë.

Çfarë të bëni para vaksinës

Pini më shumë ujë

“Dieta e shëndetshme dhe e balancuar, së bashku me rritje të lehtë të hidratimit, është gjithçka që ju nevojitet për t’u përgatitur”, këshillon Yadlosky.

Stinchfield shton se hidratimi është i rëndësishëm për shëndetin në përgjithësi dhe është diçka e rëndësishme para vaksinës.

Hani ushqime anti-inflamatore

“Një nga mënyrat më të mira për ta ‘ushqyer’ sistemin tuaj imunitar është të shtoni më shumë ushqime anti-inflamatore”, ka thënë dietologia Roxana Ehsani.

Këtu përfshihen frutat dhe perimet e freskëta, peshku, arrat, drithërat e plota, fasulet dhe thjerrëzat.

Zgjidhni vakte të balancuara dhe me ngjyra
“Vaksina e gripit nuk mund të shkaktojë gripin. Ky është një keqkuptim i zakonshëm”, ka shpjeguar Stinchfield.

Ajo ka theksuar se është mirë të shtoni më shumë fruta e perime me ngjyra të ndryshme, pasi ato sjellin vitamina, minerale dhe antioksidantë që forcojnë imunitetin.

“Ngrënia e një ushqimi të lehtë dhe pirja e ujit para vaksinës mund të parandalojë të rënit të fiktë që lidhet me ankthin”, ka theksuar Stinchfield.

Çfarë të bëni pas vaksinës

Vazhdoni të pini ujë

“Balancimi i mirë mes lëngjeve dhe lëndëve ushqyese ndihmon sistemin imunitar të përpunojë vaksinën”, ka shpjeguar Yadlosky.

“Një nga efektet e mundshme pas vaksinës është dhimbja e kokës, dhe dehidratimi mund ta përkeqësojë atë”, ka thënë dietologia Lauren Manaker.

Shtoni ushqime me probiotikë dhe prebiotikë

Sipas Manaker, ushqime si kosi, kefiri, lakra turshi dhe perimet e fermentuara mund të ndihmojnë në përmirësimin e efektit të vaksinës, duke mbështetur shëndetin e zorrëve.

Hani ushqime të thjeshta në rast mundimi

Ani pse efektet anësore janë të rralla dhe të lehta, disa persona mund të përjetojnë nauze. Stinchfield rekomandon ushqime të thjeshta si oriz, makarona, banane ose avokado.

Ruani zakonet e shëndetshme

“Nëse keni shtuar më shumë ujë dhe ushqime të pasura me lëndë ushqyese në dietën tuaj, vazhdoni kështu! Këto zakone ndihmojnë shëndetin tuaj përgjithësisht, jo vetëm gjatë sezonit të gripit”, ka thënë Stinchfield.

Përfundimi i ekspertëve

Vaksina e gripit është mbrojtje e fortë, por jo “armë magjike”.

“Ani pse vaksinimi mund të mbrojë nga gripi, nuk është garanci absolute. Të ushqehesh me produkte të pasura me vitamina, të flesh mjaftueshëm dhe të ushtrohesh mbeten thelbësore për imunitetin”, ka theksuar Manaker.