Lifestyle

Dieta për mendje të shëndoshë

Ushqimi

Ushqimi

Në një studim 9-vjeçar me gati 1,000 persona të moshuar, studiuesit e Universitetit Rush në Çikago zbuluan se njerëzit që konsumonin më shpesh nëntë lloje ushqimesh të caktuara kishin rënie më të ngadaltë të funksioneve mendore.

Këto ushqime ishin: manaferrat, perimet me gjethe jeshile, perimet e tjera, drithërat e plota, bishtajoret, arrat, peshku, mishi i pulës dhe vaji i ullirit, ka raportuar The New York Times.

Në të njëjtën kohë, ata që konsumonin më pak mish të kuq, gjalpë dhe margarinë, djathëra, ëmbëlsira dhe ushqime të skuqura, kishin rezultate më të mira për trurin.

Duke u mbështetur në këto gjetje, studiuesit krijuan atë që sot njihet si dieta MIND.

Truri është një nga organet që harxhon më së shumti energji.

Ani pse përbën vetëm rreth 2 për qind të peshës së trupit, ai konsumon afro 20 për qind të energjisë totale të trupit.

Me fjalë të tjera, ajo që njerëzit hanë ka shumë rëndësi për shëndetin e trurit.

Studime të mëvonshme, që përfshijnë mijëra njerëz, kanë treguar se ndjekja e dietës MIND lidhet me funksionim më të mirë të trurit, rrezik më të ulët për demencë dhe përparim më të ngadaltë të sëmundjes te personat me Alzheimer.

Përfitimet shihen pavarësisht nëse dieta fillohet në moshë të mesme apo në moshë të shtyrë.

Ekspertët besojnë se ushqimet e dietës MIND janë veçanërisht të dobishme për trurin për shkak të përbërjes së tyre ushqyese.

“Manaferrat dhe perimet me gjethe të gjelbra janë të pasura me antioksidantë, të cilët ndihmojnë në luftimin e inflamacionit dhe dëmtimeve qelizore”, ka shpjeguar Jennifer Ventrelle, dietologe në Universitetin Rush dhe bashkautore e librit “The Official MIND Diet”.

Ajo ka shtuar se shumë prej këtyre substancave “mund të kalojnë barrierën mbrojtëse të trurit dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e tij nga sëmundjet”.

Arrat dhe peshqit me yndyrë, si salmoni dhe sardelet, përmbajnë acide yndyrore omega-3, të cilat janë të rëndësishme për ndërtimin e shtresës mbrojtëse të nervave që transmetojnë informacionin në tru.

Ndërkohë, drithërat e plota dhe bishtajoret janë të pasura me fibra, të cilat ushqejnë bakteret e mira në zorrë.

Këto baktere prodhojnë substanca që, sipas ekspertëve, ndikojnë pozitivisht në shëndetin e trurit përmes lidhjes mes zorrëve dhe trurit.

“Nuk është e nevojshme ta ndryshoni tërësisht dietën tuaj. Mjafton të përshtatni ushqimet që tashmë konsumoni, duke i bërë pak më ‘MIND’”, ka thënë Joel Salinas, neurolog në NYU Langone Health.

Si shembull, ai sugjeron të shtoni një grusht arra ose manaferrat në mëngjesin tuaj.