Personat që flenë keq kanë më shumë gjasa që truri i tyre të duket më i vjetër krahasuar me moshën e tyre reale. Kjo del nga një studim i gjerë i imazheve të trurit nga instituti Karolinska, i publikuar në revistën "eBioMedicine", me titull “Poor sleep health is associated with older brain age: the role of systemic inflammation”, ka raportuar MedicalXPress.
Sipas studiuesve, inflamacioni i shtuar në trup mund të shpjegojë pjesërisht këtë lidhje.
Gjumi i keq është lidhur më parë me demencën, por ende nuk është e qartë nëse zakonet e këqija të gjumit shkaktojnë zhvillimin e demencës apo janë thjesht simptomë e hershme e saj.
Studiuesit hetuan lidhjen midis karakteristikave të gjumit dhe se sa i vjetër duket truri krahasuar me moshën kronologjike.
Në studim u përfshinë 27,500 persona të moshës së mesme dhe të moshuar, të dhënat e të cilëve u morën nga "UK Biobank", e që iu nënshtruan incizimeve (MRI) të trurit. Studiuesit vlerësuan moshën biologjike të trurit bazuar në mbi një mijë fenotipe të trurit.
Cilësia e gjumit e pjesëmarrësve u vlerësua bazuar në pesë faktorë të vetë-raportuar: kronotipi (person i mëngjesit ose i natës), kohëzgjatja e gjumit, pagjumësia, gërhitja dhe gjumi gjatë ditës.
Ata u ndanë në tre grupe:
-Gjumë i shëndetshëm
-Gjumë i mesëm
-Gjumë i keq
“Diferenca midis moshës së trurit dhe moshës reale u rrit rreth gjashtë muaj për çdo pikë ulje në indeksin e gjumit të shëndetshëm. Personat me gjumë të keq kishin trurin që dukej mesatarisht një vit më i vjetër se mosha e tyre reale”, ka shpjeguar Abigail Dove, studiuese në Departamentin e Neurobiologjisë në institutin Karolinska, e cila udhëhoqi studimin.
Për të kuptuar se si gjumi i keq mund të ndikojë në tru, studiuesit shqyrtuan gjithashtu nivelin e inflamacionit të ulët në trup. Ata gjetën se inflamacioni shpjegonte pak më shumë se 10 për qind të lidhjes midis gjumit të keq dhe plakjes së trurit.
“Gjetjet tona tregojnë se gjumi i keq mund të kontribuojë në plakjen e shpejtë të trurit dhe nënvizojnë inflamacionin si një nga mekanizmat themelorë. Duke qenë se gjumi mund të përmirësohet, është e mundur të parandalojmë plakjen e shpejtë të trurit dhe ndoshta edhe rënien e aftësive njohëse përmes gjumit më të shëndetshëm”, ka thënë Dove.
Mekanizma të tjerë që mund ta shpjegojnë këtë lidhje janë:
-Ndikimi negativ mbi sistemin e pastrimit të mbeturinave të trurit, i cili është aktiv kryesisht gjatë gjumit
-Ndikimi mbi shëndetin kardiovaskular, që më pas ndikon negativisht në tru
Limitimet që pati studimi
Pjesëmarrësit në "UK Biobank" janë më të shëndetshëm se popullsia e përgjithshme në Britani, çka mund të kufizojë zbatueshmërinë e rezultateve.
Rezultatet bazohen në vetë-raportimin e gjumit nga pjesëmarrësit.
Studimi u realizua në bashkëpunim me "Swedish School of Sport and Health Sciences", si dhe "Tianjin Medical University" dhe "Sichuan University" në Kinë, ndër të tjera.