Mjekët thonë se kanë arritur diçka që deri tani konsiderohej e pamundur: rikthimin e shikimit dhe parandalimin e verbërisë te personat që vuajnë nga një sëmundje e rrallë, por shumë e rrezikshme e syrit, e quajtur hipotoni, ka raportuar BBC.
Spitali Moorfields në Londër është klinika e parë në botë e specializuar për këtë çrregullim.
Sipas një studimi pilot, shtatë nga tetë pacientë që morën trajtimin e ri kanë reaguar pozitivisht.
Një prej tyre është edhe Nicki Guy, 47 vjeçe, pacientja e parë në botë që mori këtë terapi, e cila ka ndarë historinë e saj ekskluzivisht për BBC.
Rezultatet, sipas saj, janë të jashtëzakonshme.

“Është diçka që ta ndryshon jetën. Ma ka kthyer gjithçka. Mund ta shoh fëmijën tim duke u rritur. Kam kaluar nga numërimi i gishtave dhe një pamje shumë e turbullt, në aftësinë për të parë sërish”, ka thënë ajo.
Aktualisht, ajo arrin të lexojë pothuajse të gjitha rreshtat në tabelën e testimit të shikimit dhe është vetëm një rresht larg standardit ligjor për të drejtuar automjetin, një ndryshim i madh krahasuar me kohën kur ishte pjesërisht e verbër, përdorte lupë për çdo gjë nga afër dhe lëvizte në shtëpi kryesisht me ndihmën e kujtesës.

“Nëse shikimi im mbetet kështu për pjesën tjetër të jetës sime, do të ishte fantastike. Ndoshta nuk do të mund të vozisë më kurrë, por këtë e pranoj me kënaqësi”, ka thënë ajo.
Çfarë është hipotonia e syrit?
Te hipotonia, presioni brenda syrit bie në nivele shumë të ulëta, duke bërë që syri të humbë formën dhe të “shembet” mbi veten.
Kjo mund të ndodhë për shkak të prodhimit të dobët të lëngut natyral brenda syrit, pas traumave, inflamacioneve, operacioneve në sy apo si efekt anësor i disa ilaçeve. Pa trajtim, sëmundja mund të çojë në verbëri.
Deri më tani, mjekët kanë përdorur steroidë ose vaj silikoni për ta rikthyer formën e syrit, por këto metoda mund të jenë toksike me kalimin e kohës dhe nuk rikthejnë ndjeshëm shikimin. Për më tepër, vaji i silikonit e bën shikimin të turbullt, edhe kur qelizat përgjegjëse për shikimin funksionojnë ende.
Ekspertët në Moorfields vendosën të provojnë një qasje tjetër, duke përdorur një substancë që tashmë e kishin në përdorim: një xhel transparent, me bazë uji dhe me kosto të ulët, i quajtur hydroxypropyl methylcellulose (HPMC), i përdorur zakonisht në disa lloje operacionesh në sy.

Por kësaj here, në vend që ta përdornin një herë, ata vendosën ta injektonin rregullisht në pjesën kryesore të syrit, si një terapi e re.
Kur Nicki pati problemet e para me shikimin në vitin 2017, pak pas lindjes së djalit të saj, mjekët i vendosën vaj silikoni në syrin e djathtë, i cili po dështonte.
Ajo kujton se syri kishte humbur formën normale dhe ishte “shembur”.
“Ishte sikur të ishte shembur ose rrudhur si një qese letre. Trajtimi nuk dha shumë rezultat dhe disa vite më vonë, edhe syri i majtë filloi të dështonte. Kur humba shikimin në syrin e majtë, mendova se duhet të ketë diçka tjetër që mund të provojmë. Ishte thjesht këmbëngulje. Nuk doja të dorëzohesha”, ka treguar ajo.
Mjeku i saj, Harry Petrushkin, ka thënë se së bashku vendosën të provonin diçka krejtësisht të re: ta mbushnin syrin me një substancë përmes së cilës mund të shihej.

“Ideja se mund t’i shkaktonim dëm dikujt që praktikisht kishte vetëm një sy funksional, me një trajtim që mund të funksiononte ose jo, ishte shumë stresuese. Por e provuam dhe, për mrekulli, funksionoi. Nuk do ta kishim ëndërruar kurrë një rezultat të tillë. Dikush që, në çdo aspekt, duhej ta kishte humbur shikimin në të dy sytë, sot jeton normalisht. Është vërtet e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Sipas Petrushkin, ky trajtim mund të ndihmojë qindra apo edhe mijëra njerëz çdo vit në Britani, nëse qelizat në pjesën e pasme të syrit janë ende funksionale.
“E dinim se te Nicki kishte shikim për t’u rikthyer. Duhej vetëm ta bënim syrin sërish të rrumbullakët dhe të fortë”, ka thënë ai.
Deri tani, janë trajtuar 35 pacientë, falë mbështetjes financiare të Moorfields Eye Charity. Rezultatet e para për tetë pacientë janë publikuar në British Journal of Ophthalmology.
Trajtimi aplikohet një herë çdo tre deri në katër javë, për rreth 10 muaj.
“Është një histori fantastike. Rezultatet janë shumë premtuese, por jemi ende në fazat e hershme”, ka përfunduar Petrushkin.