Lifestyle

Kafeja e thjeshtë mund t’jua zgjasë jetën

Kafeja pa sheqer e qumesht, me e shendetshme per organizmin

Kafeja pa sheqer e qumësht, më e shëndetshme për organizmin

Studimi i ri nga Universiteti Tufts në Boston ka treguar se pirja e një deri në dy filxhanë kafeje me kafeinë në ditë lidhet me rrezik më të ulët të vdekshmërisë, veçanërisht nga sëmundjet kardiovaskulare.

Studiuesit kanë zbuluar se ata që pinin kafe të zezë ose me pak sheqer dhe yndyrë (e cila vjen nga kremi apo qumështi i shtuar në kafe) kishin rrezik 14 për qind më të ulët të vdekjes nga të gjitha shkaqet. Por ky përfitim nuk u vu re tek ata që pinin kafe me sasi të larta sheqeri dhe yndyre, ka raportuar The Independent.

“Kafja është një nga pijet më të konsumuara në botë dhe me gati gjysmën e të rriturve amerikanë që raportojnë se pinë të paktën një filxhan në ditë, është e rëndësishme të dimë çfarë ndikimi mund të ketë në shëndet”, ka thënë Fang Fang Zhang, profesoreshë në Universitetin Tufts.
Ajo ka shtuar se përfitimet shëndetësore të kafesë mund të vijnë nga përbërësit bioaktivë që ajo përmban, por rezultatet e studimit sugjerojnë se shtimi i sheqerit dhe yndyrave mund ta zvogëlojë këtë efekt pozitiv.

Studimi, i mbështetur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA, u publikua në revistën “The Journal of Nutrition”.

Në këtë hulumtim, studiuesit kanë analizuar të dhëna nga 46,000 të rritur mbi 20 vjeç, të mbledhura midis viteve 1999 dhe 2018. Ata shqyrtuan saktësisht çfarë kishin konsumuar pjesëmarrësit gjatë 24 orëve të para të studimit.

Rezultatet kanë treguar se:

Pirja e një filxhani kafeje në ditë lidhej me rrezik 16 për qind më të ulët të vdekjes.

Ky përfitim rritej pak më shumë te ata që pinin dy deri në tre filxhanë në ditë.

Por, konsumimi i më shumë se tre filxhanëve në ditë nuk sillte përfitime shtesë. Madje, lidhja me uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dobësohej kur konsumi ishte më i lartë.

Ky studim mbështet edhe rezultatet e mëparshme të Universitetit Tulane. Një hulumtim dhjetëvjeçar me 40,000 amerikanë kishte zbuluar se ata që pinin kafe në mëngjes kishin 31 për qind më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e zemrës dhe 16 për qind më pak gjasa të vdisnin herët nga çdo shkak, krahasuar me ata që nuk pinin kafe.

“Shumë pak studime kanë shqyrtuar se si shtesat në kafe (si sheqeri dhe kremi) ndikojnë në lidhjen mes konsumit të kafesë dhe rrezikut të vdekjes. Studimi ynë është ndër të parët që ka matur sasinë e saktë të sheqerit dhe yndyrave të ngopura që njerëzit ia shtojnë kafesë”, ka thënë autorja e studimit Bingjie Zhou.

Ajo ka shtuar se rezultatet e studimit përputhen me Udhëzimet Ushqimore për Amerikanët, të cilat rekomandojnë kufizimin përdorimit të sheqerit dhe yndyrave të dëmshme.