Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ndëshkimi i fëmijëve me goditje ndikon negativisht në suksesin e tyre në shkollë

Goditja e fëmijëve nuk u sjell sukses në shkollë

Goditja e fëmijëve nuk u sjell sukses në shkollë

Goditja e fëmijëve si formë ndëshkimi mund të ndikojë negativisht në suksesin e tyre në shkollë dhe t’i bëjë më të prirë ndaj sjelljeve të rrezikshme gjatë adoleshencës, ka bërë të ditur një studim i ri të realizuar nga University College London (UCL), ka raportuar BBC.

Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 19 mijë fëmijëve të lindur në Britani ndërmjet viteve 2000 dhe 2002 dhe zbuluan se ndëshkimi fizik “nuk sjell asnjë përfitim”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas studimit, fëmijët që ishin goditur gjatë viteve të para të jetës kishin 5.7 për qind më shumë gjasa të mos arrinin të merrnin të paktën pesë nota kaluese në provimet GCSE, përfshirë lëndët e Anglishtes dhe Matematikës.

Po ashtu, adoleshentët 14-vjeçarë që kishin përjetuar ndëshkim fizik në fëmijëri kishin 33 për qind më shumë gjasa të përfshiheshin në sjellje të rrezikshme, si ngacmimi i të tjerëve.

“Ndëshkimi fizik nuk i ndihmon fëmijët dhe të gjitha efektet që kemi gjetur tregojnë pasoja të dëmshme. Shpresoj që goditja e fëmijëve të ndalet në Britani, në mënyrë që ata të kenë të njëjtën mbrojtje nga dhuna fizike si të rriturit”, ka thënë udhëheqësja e studimit, profesoresha Anja Heilmann.

 

Anja Heilmann

Megjithatë, studiuesit theksuan se studimi është vëzhgues dhe nuk mund të dëshmojë drejtpërdrejt se goditja ishte shkaku i vetëm i këtyre rezultateve, pasi faktorë të tjerë mund të kenë ndikuar në jetën e fëmijëve gjatë viteve.

Aktualisht, ndëshkimi fizik i fëmijëve është i ndaluar në Skoci dhe Uells, por mbetet i ligjshëm në Britani dhe Irlandë të Veriut.

Amy Woods, themeluese e organizatës “Baby College”, mbështet ndalimin e kësaj praktike në Britani.

“Fëmijët kanë nevojë për ngrohtësi, marrëdhënie të shëndetshme dhe lojë për t’u zhvilluar, jo për dhunë”, ka thënë ajo.

Edhe një nënë e quajtur Sarah u shpreh kundër ndëshkimit fizik.

“Nëse një fëmijë godet dikë dhe ti e godet si ndëshkim, nuk po i jep mesazhin e duhur se kjo sjellje nuk është në rregull”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, profesoresha Ellie Lee nga Universiteti i Kentit argumentoi se zhvillimi i fëmijëve ndikohet nga shumë faktorë dhe se vendosja e kufijve mbetet e rëndësishme në edukimin e tyre.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se një në pesë fëmijë 10-vjeçarë kishte përjetuar një formë ndëshkimi fizik, ndërsa nënat me nivel më të lartë arsimimi kishin më pak gjasa ta përdornin këtë metodë disiplinimi.