Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Njerëzit mund të kenë aftësi rigjeneruese

Rigjenerimi i indeve

Rigjenerimi i indeve

Shkencëtarët mund të kenë zbuluar një mënyrë për të aktivizuar aftësi të fshehura rigjeneruese te njerëzit, duke hapur rrugën për trajtime që mund të ndihmojnë trupin të riparojë dëmtime serioze me më pak plagë dhe më shumë rigjenerim të indeve, ka shkruar ScienceDaily.

Studimi i ri, i kryer nga studiuesit e Texas A&M College of Veterinary Medicine and Biomedical Sciences dhe i publikuar në revistën shkencore Nature Communications, ka treguar se gjitarët mund të kenë aftësi rigjeneruese që zakonisht mbeten të fjetura.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pse disa kafshë mund të rigjenerohen, ndërsa krijesa të tjerat, sidomos njerëzit, nuk munden, është një pyetje e madhe që është bërë që nga koha e Aristotelit. Kam kaluar gjithë karrierën time duke u përpjekur ta kuptoj këtë”, ka thënë doktori Ken Muneoka.

Ndryshe nga salamandrat, të cilat mund të rigjenerojnë gjymtyrë të tëra, njerëzit zakonisht shërohen duke krijuar inde mbresore (plagë). Studiuesit zbuluan se qelizat përgjegjëse për formimin e plagëve mund të ridrejtohen për të ndihmuar në krijimin e indeve të reja.

“Është sikur këto qeliza mund të ndjekin dy rrugë të ndryshme. Ato mund të shërojnë një plagë ose të krijojnë strukturat e nevojshme për rigjenerim”, ka shpjeguar Muneoka.

Ekipi përdori një trajtim me dy hapa dhe arriti të rigjenerojë eshtra, ligamente, tendina dhe pjesë të nyjave te kafshët laboratorike. Edhe pse indet e reja nuk ishin kopje perfekte të atyre origjinale, ato rikrijuan strukturat kryesore të humbura.

“Ne rigjeneruam atë që pritet të shihet në atë nivel dëmtimi. Strukturat janë aty, vetëm se jo në formë të përsosur”, ka thënë ai.

Një nga zbulimet më të rëndësishme ishte se nuk ishte e nevojshme të shtoheshin qeliza staminale nga jashtë.

“Nuk keni nevojë të merrni qeliza staminale dhe t’i vendosni përsëri në trup. Ato tashmë janë aty, duhet vetëm të mësojmë si t’i bëjmë të sillen në mënyrën që duam”, ka thënë Muneoka.

Doktori Larry Suva ka thënë se studimi sfidon bindjet e deritanishme për kufijtë e qelizave të gjitarëve.

“Qelizat që mendonim se nuk mund të riprogramoheshin, në fakt mund të riprogramohen. Aftësia nuk mungon, thjesht është e fshehur”, ka thënë ai.

Megjithëse kërkimet janë ende në fazat e hershme, shkencëtarët besojnë se kjo qasje mund të ndihmojë në të ardhmen në shërimin më të mirë të plagëve, zvogëlimin e indeve mbresore dhe përmirësimin e rikuperimit pas amputimeve.

“Kjo ndryshon mënyrën se si mendojmë për atë që është e mundur. Sapo tregohet se rigjenerimi mund të aktivizohet, hapen pyetje krejtësisht të reja”, ka përfunduar Suva.