Lifestyle

Pica e ngrirë mund të jetë pjesë e një vakti të shëndetshëm

pica

Pica e ngrirë është praktike, e shijshme dhe e lirë, ndaj për shumë familje është ushqim bazë.
Por një problem i madh është fakti që shumica janë tepër të përpunuara, me përmbajtje të lartë kripe, yndyre të ngopur, sheqeri të shtuar dhe aditivësh industrialë. 

Disa marka të njohura përmbajnë pothuajse një dozë të tërë ditore të yndyrës së ngopur dhe mbi 60% të sasisë ditore të rekomanduar të natriumit në vetëm një racion, ka shkruar The Washington Post.

“Ushqimet e shumëpërpunuara janë të lidhura me rrezik më të lartë për sëmundje kronike”, ka shpjeguar Federica Amati, shkencëtare në Imperial College London dhe nutricioniste në platformën Zoe. 

Por ajo shton se s’ka nevojë të shmangen totalisht.

“Nuk janë të gjitha njësoj, disa versione janë më të balancuara dhe përmbajnë përbërës të thjeshtë”, ka thekuar ajo.

Si ta bëni picën e ngrirë më të shëndetshme?

Zgjidhni marka me përbërës të thjeshtë, si miell gruri, domate, djathë mozzarella dhe vaj ulliri.

Shtoni perime të freskëta në shtëpi: qepë, kërpudha, speca apo spinaq.
Shmangni mishrat e përpunuar, si salsiçet apo suxhuku. 

“Këto mishra janë të pasura me kripë, yndyrë dhe konservues që janë të lidhur me rritjen e rrezikut për kancer, veçanërisht atë të zorrës së trashë”, ka theksuar Amati.

Shtoni proteina të shëndetshme, si pulë e pjekur ose peshk ton.

Shoqërojeni me ushqime të balancuara si perime, vezë të ziera, fruta dhe arra.

Kujdes me etiketat:

Shumë natrium apo kripëra: shumë marka përmbajnë 20–60% të kufirit ditor të rekomanduar për një racion të vetëm.

Sheqeri i shtuar: kërkoni marka me maksimumi 1–2 gramë sheqer të shtuar për racion, ose asnjë fare. Termat për sheqerin e shtuar përfshijnë dextrose, corn syrup solids, sucrose etj.

Aditivë industrialë: shmangni produkte me përbërës si BHT, BHA, carrageenan dhe propylparaben.

“Pica e ngrirë mund të jetë pjesë e një vakti të shëndetshëm nëse zgjidhet me kujdes dhe shoqërohet me ushqime të balancuara”, ka theksuar në fund Amati.