Shumë prindër janë të shqetësuar për kohën që fëmijët e tyre kalojnë para ekraneve. Por një studim i ri sugjeron se për të kuptuar se si përdorimi i rrjeteve sociale apo video-lojrave po ndikon te fëmijët, duhet të përqendrohen te diçka tjetër, ka raportuar CNN.
Sipas studimit të publikuar të mërkurën e kësaj jave, në revistën JAMA të Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, koha që fëmijët kalojnë në rrjete sociale, telefona apo video-lojëra nuk lidhet drejtpërdrejt me probleme të shëndetit mendor si ankthi, depresioni, sjelljet agresive apo mendimet vetëvrasëse.
Sipas shkencëtareve ajo që ka më shumë rëndësi është nëse ata bëhen të varur nga përdorimi i telefonit.
Sipas Yunyu Xiao, autore kryesore e studimit dhe profesoreshë në Weill Cornell Medical College në New York, varësia krijohet kur fëmija përdor aq shumë telefonin "sa ndikon në detyrat e shtëpisë, mësime apo aktivitete të tjera”.
“Varësi është atëherë kur fëmijët ndiejnë nevojë të fortë dhe nuk mund të ndalojnë së përdoruri ekranet”, ka shpjeguar ajo.
Studimi, i cili ka ndjekur mbi 4,000 fëmijë amerikanë për katër vjet, tregoi se:
-Gati gjysma e fëmijëve kishin shenja të larta të varësisë nga celularët.
-Më shumë se 40% e tyre kishin varësi të lartë ndaj video-lojërave.
-Fëmijët që përdornin shumë shpesh telefonat dhe rrjetet sociale kishin dy deri në tre herë më shumë rrezik për mendime apo sjellje vetëvrasëse krahasuar me ata që nuk i përdornin shumë.
-Përdorimi shumë i shpeshtë i rrjeteve sociale lidhej me rrezik më të lartë për probleme të shëndetit mendor.
-Përdorimi shumë i shpeshtë i video-lojërave lidhej me rrezik të shtuar për probleme të shëndetit mendor dhe mendime vetëvrasëse.
-Vajzat ishin më të prirura të bëheshin të varura nga rrjetet sociale, ndërsa djemtë kishin më shumë gjasa të zhvillonin varësi nga video-lojërat.
Si të parandalohet varësia nga ekranet?
Studimi ka sugjeruar se prindërit duhet të ndihmojnë fëmijët të shmangin varësinë, duke vendosur kufij të qartë që në fillim.
“Vendosni kufij që herët. Fëmijët duhet ta dinë se ka momente kur nuk është në rregull të përdorin telefonin apo video-lojërat”, ka thënë psikologia Melissa Greenberg nga Princeton Psychotherapy Center.
Ajo rekomandon që telefonat mos të përdoren gjatë ushqyerjes si dhe para gjumit.
“Mos lejoni telefonat në dhomat e adoleshentëve pas një orari të caktuar në mbrëmje”, ka thënë ajo.
Pisikologia ka rekomanduar prindërit që të nxisin aktivitete që nuk përfshijnë ekrane.
“Kur flas me prindër, u them t’i lejojnë fëmijët të kalojnë më shumë kohë me miqtë. Shumë prindër shqetësohen për sigurinë kur fëmijët takohen fizikisht me shokët, por shpesh është më e rrezikshme të jenë vetëm në dhomë me rrjetet sociale, ku mund të bien pre e abuzimeve ose të zhvillojnë varësi”, ka thënë Greenberg.
Ajo ka shtuar se prindërit duhet vet të bëhen shembuj sa i përket përdorimit të telefonave, duke mos i përdorur në prani të fëmijëve.
“Prindërit duhet të japin shembull dhe vet të mos e përdorimin telefonin pa nevojë në prani të fëmijëve. Tregojuni fëmijëve si të balanconi kohën para ekranit me kohën pa ekran”, ka thënë psikologia.
Lëvizja “The Anxious Generation”, e nisur nga autori Jonathan Haidt, ka promovuar sfidën “e kalimit të ditëve të premte pa ekrane” gjatë verës dhe ka rekomanduar që çdo familje ta provojë.
Greenberg ka theksuar se prindërit duhet të flasin hapur me fëmijët për varësinë nga ekranet pa i gjykuar.
“Ekranet janë të dizajnuara që të na mbajnë të lidhur vazhdimisht. Është e rëndësishme që të gjithë të jemi të vetëdijshëm për këtë”, ka thënë ajo.
Psikologia ka sugjeruar gjithashtu që prindërit të bëjnë marrëveshje të qarta me fëmijët për përdorimin e pajisjeve, duke rënë dakord së bashku për rregullat dhe kufijtë ditorë.
“Përfshini adoleshentët në këtë proces, që ta kuptojnë arsyen e kufijve”, ka thënë Greenberg.
Si ta kuptoni nëse fëmija është i varur nga ekrani?
Sipas Greenberg, shenjat e varësisë përfshijnë:
-Përdorim të vazhdueshëm ose të papërmbajtshëm të telefonit ose video-lojërave.
-Përdorim të pajisjeve edhe kur është e ndaluar, si në shkollë, gjatë detyrave, ose natën vonë.
-Përpjekje pa sukses për të reduktuar përdorimin.
-Probleme në shkollë, në punë ose me shokët për shkak të përdorimit të tepërt.
-Mashtrim ose fshehje e përdorimit të pajisjeve dhe reagime të ashpra kur pyeten rreth kësaj çështjeje.
-Simptoma të tërheqjes, si nervozizëm, trishtim apo acarim kur nuk mund të përdorin telefonin ose video-lojërat.
-Mungesë gjumi për shkak të përdorimit të pajisjeve deri natën vonë.
-Fëmijët që janë të varur mund të mos i përmbushin detyrimet e tyre ose të mos kenë më dëshirë të takohen me miq fizikisht.
Çfarë të bëni nëse fëmija juaj është i varur?
“Mos i gjykoni. Mbani mend që ndoshta as vetë ata nuk duan të jenë të varur. Pajisjet janë krijuar që të na bëjnë të varur. Duhet t’i ndihmojmë, jo t’i turpërojmë”, ka bërë të ditur Greenberg.
Ajo rekomandon prindërit të bisedojnë me fëmijët për ndjenjat e tyre dhe arsyet pse kalojnë aq shumë kohë në pajisje, duke shtuar se duhet organizuar aktivitete të tjera dhe duhet bërë përditësim i marrëveshjes për përdorimin e pajisjeve.
Nëse situata përkeqësohet, duhet kërkuar ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor.