Gjatë sezonit festiv, kur tryezat mbushen me ushqime të rënda dhe alkooli konsumohet më shumë se zakonisht, ekziston një rrezik i fshehur për shëndetin e zemrës që shpesh neglizhohet.
Mjekët e quajnë këtë fenomen “sindroma e zemrës së festave”, term që zakonisht lidhet me çrregullime të ritmit të zemrës, por sipas specialistëve, infarktet e festave mund të shfaqen në forma të ndryshme dhe janë më të shpeshta sesa mendohet, ka shkruar ABC7.
Mario Castro, 57 vjeç, sot ka zemër dhe mushkëri të shëndetshme. Por gjatë festave të fundvitit 2022, ai ishte në rrezik serioz.
“Isha nën shumë stres dhe ndihesha jashtëzakonisht i lodhur”, ka treguar ai.
Megjithatë, Castro ka treguar se pati shkuar në punë, por nuk mundi ta injoronte një ndjesi të pazakontë.
“Fillova të ndiej një presion të lehtë në krah, sikur dikush po më maste tensionin e gjakut”, ka kujtuar ai.
Castro punon si teknik i ultrazërit dhe rastësisht ndodhej pranë ordinancës së kardiologut të tij.
Doktori Kevin Ariani nga Dignity Health Northridge ka zbuluar se dy nga arteriet e tij ishin të bllokuara.
Bëhej fjalë për një infarkt të plotë të zemrës dhe sipas mjekëve, raste të tilla janë shumë të shpeshta gjatë festave.
“Në prag të Krishtlindjeve, shohim rreth 30 deri në 40 për qind më shumë infarkte”, ka thënë Ariani, duke shtuar se edhe rreth Vitit të Ri numri rritet me 15 deri në 20 për qind.
Ai ka shpjeguar se kjo mund të ndodhë sepse njerëzit festojnë, hanë ushqime më të rënda dhe më të kripura.
Përveç kësaj, shumë persona shtyjnë vizitat te mjeku, ushtrohen më pak, flenë më pak, konsumojnë më shumë alkool dhe ndihen më të shqetësuar.
“Njerëzit duhet të jenë të lumtur, por për arsye të ndryshme, shpesh janë më të stresuar”, ka thënë Ariani.
Festat mund të sjellin gjithashtu ndjenja zie, vetmie dhe izolimi, të cilat mund të çojnë në depresion, një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet e zemrës.
“Sipas vëzhgimeve tona, personat mbi 70 ose 75 vjeç pësojnë më shumë infarkte gjatë kësaj periudhe”, ka theksuar mjeku.
Për ta ulur rrezikun, këshilla e doktorit është e thjeshtë: të bëhet e kundërta e asaj që njerëzit zakonisht bëjnë gjatë festave.
“Të jeni të kujdesshëm me alkoolin, të kufizohen ushqimet e rënda dhe të kripura, dhe të flihet mjaftueshëm. Gjumi është shumë i rëndësishëm. Flisni për shqetësimet tuaja me mjekun dhe mos i shtyni vizitat për pas festave”, ka thënë ai.
Për Mario Castron, menaxhimi i stresit është çelësi i shëndetit.
“Ushtrohem të paktën tri herë në javë, bëj meditimin, që më ka ndihmuar të përballoj stresin e përditshëm. Të gjithë kemi stres”, ka thënë ai.
Fakti që simptomat i ndjeu pranë ordinancës së mjekut rezultoi vendimtar. Brenda 30 minutash, mjekët arritën t’i hapnin arteriet e bllokuara.
Këtë Krishtlindje, Castro mezi pret t’i kalojë festat me familjen dhe miqtë.
“Madje mora edhe leje nga doktori për të ngrënë një biftek të shijshëm gjatë festave”, ka thënë ai me të qeshur.