Nga konsulentët e emrave për foshnjat deri tek inspirimi nga perënditë, kërkimi për një emër origjinal është bërë një industri më vete në Britani të Madhe dhe më tej, ka shkruar The Telegraph.
Dikur, zgjedhja e një emri për fëmijën ishte proces i thjeshtë: një emër familjar, një faqe në librin e emrave, apo një klasik që nuk del kurrë nga moda. Një vendim i bërë me dashuri, larg syrit dhe opinionit të botës.
Por sot, emrat e foshnjave janë kthyer në një biznes të mirëfilltë online. Influencuar jo më vetëm nga të famshmit apo mbretërit, por edhe nga yjet e rrjeteve sociale dhe konsulentët profesionistë të emrave, të cilët paguhen mirë për të ndihmuar prindërit të gjejnë “emrin perfekt”.
Gjyshet nuk janë të bindura...
Kalimi nga emrat tradicionalë drejt atyre më të pazakontë ka sjellë tensione të padukshme. Një sondazh i “Gransnet” ka treguar se një në pesë gjyshër urrejnë emrin e nipit apo mbesës, zakonisht sepse e konsiderojnë si “të shëmtuar”.
“Emra më lozonjarë si Cove, Wren, Bodhi apo Harper shpesh shkaktojnë përçarje mes brezave. Disa gjyshër mendojnë se këto emra u shkojnë maceve apo qenve, dhe madje refuzojnë t’i përdorin”, ka thënë konsulentja britanike SJ Strum, autore e librit “Baby Name Envy”.
Instagrami dhe TikToku vendosin trendet
Nëse përdorni rrjetet sociale shpesh, me siguri keni parë video të pafundme me “emrat që i doja, por nuk i përdora” apo postime ku prindër ndajnë zgjedhjet e tyre unike.
Disa emra janë të njohur (Ava, Aaron, Arabella), por shumë prindër kërkojnë origjinalitet absolut, qoftë përmes emrave frymëzuar nga mitologjia si Artemis, apo me modifikime si Luci-Rose në vend të Lucy.
Një studim nga Universiteti i Edinburgut që analizoi 22 milionë regjistrime lindjesh në 177 vjet, ka zbuluar një “dëshirë të vazhdueshme për individualitet”. Kohëzgjatja e popullaritetit të një emri po shkurtohet, një emër bëhet i famshëm shpejt, por po aq shpejt del nga moda.
Emrat si modë, nga “aristokracia” e TikTokut
Sot, emrat nuk shërbejnë më vetëm për të treguar prejardhjen apo përkatësinë fetare.
“Emrat janë kthyer në një arenë të individualitetit, krijimtarisë dhe modës”, ka thënë profesoresha e gjuhësisë Laurel MacKenzie nga NYU.
Influencuesja Francesca Farago mori mbi 20 milionë shikime në TikTok duke diskutuar emrat për binjakët e saj. Ajo i quajti Poetry Lucia (vajzën) dhe Locket Romance (djalin).
Konsulentët e emrave, profesioni i ri
SJ Strum ka filluar duke ndarë lista me emra në platformën YouTube, nga ata botanikë tek ata letrarë, që u kthyen në një fenomen. Sot, ajo ofron konsulenca personale për rreth 88 funte për seancë.
Në Zelandën e Re, Sonya Prior filloi të bënte analiza të emrave pas një rasti ku një gazetare australiane i vuri fëmijës emrin Methamphetamine Rules për të testuar sistemin, dhe emri u lejua.
Michelle Casey, themeluese e “Grow Little Wildflower”, ofron paketa nga 62 deri mbi 150 funte, duke ndihmuar qindra prindër të gjejnë një emër që “zgjat gjithë jetën”.
Nga John tek Margot
Historiani Gregory Clark ka treguar se në shekullin XVIII, katër emra mbulonin mbi 50% të djemve në Angli: John, William, Thomas dhe James. Sot, katër më të shpeshtit përbëjnë vetëm 6% të djemve.
Efekti i kulturës pop është i dukshëm: pas suksesit të filmit “Barbie”, u rrit ndjeshëm përdorimi i emrit Margot në Britani. Në vitet ‘90, emri Kevin u bë emri më popullor në Francë dhe Gjermani pas daljes së filmit “Home Alone”.
Ndërsa në Skoci, emri më i përdorur për djem në 2024 ishte Luca, falë filmit të animuar nga “Pixar”.
“Nuk është emri yt”, dilema e kopjimit të emrit
Një dilemë e përhapur është ajo kur dikush tjetër përdor emrin që ti kishe në mendje. Laura nga Londra e quajti vajzën Dotty, në nder të stërgjyshes. Por brenda vitit, dy nëna të tjera në rrethin e saj përdorën të njëjtin emër, duke thënë se “u frymëzuan nga ajo”. Laura qeshi me situatën, por e pranoi që ishte e çuditshme.
Çfarë përmban një emër?
Në fund të ditës, të gjithë prindërit duan të njëjtën gjë: një emër që përshtatet, që ka kuptim dhe që e lidh jetën e re me një histori më të madhe.
Pavarësisht nëse emri gjendet përmes një konsulence të paguar, në një videoje në TikTok apo në një kujtim familjar, qëllimi mbetet i njëjtë: të dhurosh një emër që mbart dashuri dhe që i qëndron kohës.