Lifestyle

Dieta mesdhetare ul rrezikun për sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe inflamacionin

Dhembet

Dhembet

Një studimi i ri ka zbuluar se ndjekja e dietës mesdhetare ul rrezikun për sëmundje të mishrave të dhëmbëve, gjë që më pas ul edhe rrezikun e inflamacionit që çon drejt sëmundjeve kronike dhe demencës, ka raportuar CNN.

“E dimë prej kohësh se shëndeti i mishrave të dhëmbëve lidhet me sëmundjet e zemrës dhe anasjelltas, ato janë të ndërlidhura. Gjithashtu e dimë që njerëzit me sëmundje periodontale zakonisht kanë tregues inflamacioni”, ka thënë doktori Andrew Freeman, drejtor i parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare në National Jewish Health në Denver.

Inflamacioni mund të shkaktojë sëmundje vaskulare, pra ngushtim, dobësim ose bllokim të enëve të gjakut, duke dëmtuar organe si veshkat, mushkëritë, mëlçinë dhe trurin. Kjo lidhet me demencën vaskulare, formën e dytë më të përhapur të humbjes së kujtesës pas Alzheimerit.

“Sigurisht që ka kuptim që nëse keni dietë të pastër, kryesisht me bazë bimore si dieta mesdhetare, inflamacioni ulet”, ka thënë doktori.

Por ai paralajmëron se kjo nuk duhet ngatërruar me versionin amerikan të dietës mesdhetare.

 “Jo me shumë mish qengji dhe djathë feta. Duhet të jetë dieta e vërtetë, regjim ushqimor që vendos bimët në qendër”, ka shtuar Freeman.

Çfarë është dieta Mesdhetare?

Dieta Mesdhetare është stil i thjeshtë dhe i shëndetshëm i të ushqyerit, që fokusohet te frutat, perimet, drithërat integrale, fasulet, farat dhe arrat, me përdorim të bollshëm të vajit ekstra të virgjër të ullirit. Mishi i kuq përdoret rrallë, ndërsa peshku dhe ushqimet e pasura me omega-3 rekomandohen.

Shumë më pak përdoren vezët, produktet e qumështit dhe mishi i shpendëve, ndërsa sheqernat e ushqimet e përpunuara ruhen për raste të veçanta.

Përveç ushqimit, ky stil përfshin edhe mënyrën e jetesës: ngrënie në shoqëri, lëvizje të rregullta dhe vetëdije gjatë ushqyerjes.

Studimi dhe gjetjet kryesore

Studimi, i botuar në Journal of Periodontology, ka përfshirë 200 pjesëmarrës në Britani.
Atyre u janë bërë ekzaminime dentare, analiza gjaku dhe pyetësorë mbi ushqyerjen.

“Mosrespektimi i dietës mesdhetare dhe konsumimi i lartë i mishit të kuq ishin të lidhur me ashpërsinë e sëmundjes periodontale”, ka thënë profesori Luigi Nibali nga King’s College London, autor i studimit.

Ai ka shtuar se pjesëmarrësit që hanin më shumë mish të kuq kishin nivele më të larta të treguesve inflamatorë.

“Këta tregues rriten në prani të traumës ose inflamacionit kudo në trup. Por nganjëherë ka reagim të tepruar që çon në më shumë sëmundje të mishrave. Nivelet më të larta nënkuptojnë më shumë inflamacion”, ka shpjeguar Nibali.

Në të kundërt, konsumimi më i lartë i perimeve, bishtajoreve dhe produkteve të qumështit lidhej me nivele më të ulëta të CRP.

“Patëm gjithashtu prirje pozitive edhe për frutat dhe vajin e ullirit”, ka shtuar ai.

Edhe studimet e mëparshme kanë treguar se përtypja e perimeve me gjethe të gjelbra si dhe frutave si mollët dhe agrumet, të gjitha pjesë të rëndësishme të dietës mesdhetare, përmirësojnë shëndetin e dhëmbëve dhe mishrave.

“Këto ushqime ofrojnë lëndë ushqyese dhe nxisin prodhimin e pështymës, që përmirëson shëndetin bakterial dhe më pas ul inflamacionin”, ka theksuar Freeman.

Në përfundim, ai ka shtuar se studim nuk është befasi.

“Është kujtesë e mirë që duhet t’u kushtojmë vëmendje dhëmbëve tanë. Nëse ushqeheni me dietë që mbështet shëndetin e trupit, gjithçka duket të shkojë më mirë, përfshirë edhe dhëmbët”, ka thënë doktori.