Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Stili i jetesës, arma më e fortë kundër kancerit të gjirit

Kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit

Foto: Associated Press

Sipas një studimi të madh, mbi 25 për qind e dëmit që shkakton kanceri i gjirit, pra vitet e jetës që humben për shkak të sëmundjes, paaftësisë apo vdekjes së hershme, lidhen me faktorë rreziku që mund të ndryshohen, si konsumimi i lartë i mishit të kuq dhe pirja e duhanit, sipas studimit më të madh të realizuar ndonjëherë në këtë fushë, ka raportuar The Guardian.

Studimi, i publikuar në The Lancet Oncology, ka analizuar të dhëna nga regjistrat kombëtarë të kancerit në mbi 200 vende, për periudhën 1990-2023, si dhe parashikoi trendet deri në vitin 2050.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas analizës së realizuar nga Global Burden of Disease Study, Breast Cancer Collaborators, rastet e reja të kancerit të gjirit pritet të rriten me një të tretën në nivel global, nga 2.3 milionë në vitin 2023 në mbi 3.5 milionë deri në vitin 2050.

Në Britani, rreth një në shtatë gra pritet ta zhvillojë këtë sëmundje gjatë jetës.

Studimi zbulon se mbajtja e një stili të shëndetshëm jetese, përfshirë mospirjen e duhanit, aktivitetin fizik të mjaftueshëm, uljen e konsumit të mishit të kuq dhe mbajtjen e indeksit të masës trupore (BMI) normale, mund të parandalojë mbi 25 për qind të viteve të shëndetshme të humbura nga sëmundja dhe vdekja e parakohshme për shkak të kancerit të gjirit.

“Kanceri i gjirit vazhdon të ketë ndikim të thellë në jetën e grave dhe komuniteteve. Ndërsa vendet me të ardhura të larta përfitojnë nga diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi më i avancuar, barra e sëmundjes po zhvendoset drejt vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku diagnoza shpesh bëhet në faza më të avancuara dhe qasja në kujdes cilësor është më e kufizuar”, ka thënë autorja kryesore e studimit Kayleigh Bhangdia nga Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Washingtonit.

Sipas të dhënave, në vitin 2023, numri i rasteve të reja te gratë mbi 55 vjeç ishte trefish më i lartë krahasuar me grupmoshën 20-54 vjeç (161 raste për 100 mijë gra kundrejt 50). Megjithatë, rastet te gratë (20-54 vjeç) janë rritur me 29 për qind që nga viti 1990, ndërsa tek gratë më të moshuara norma ka mbetur relativisht e qëndrueshme.

Në vitin 2023, rreth 28 për qind e barrës globale të kancerit të gjirit, e barabartë me 6.8 milionë vite jete të shëndetshme të humbura për shkak të sëmundjes, paaftësisë apo vdekjes së hershme, lidhej me gjashtë faktorë të modifikueshëm:

-Konsumimi i lartë i mishit të kuq (11 për qind)

-Përdorimi i duhanit, përfshirë duhanin pasiv (8 për qind)

-Niveli i lartë i sheqerit në gjak (6 për qind)

-Indeksi i lartë i masës trupore - BMI (4 për qind)

-Konsumi i lartë i alkoolit (2 për qind)

-Mungesa e aktivitetit fizik (2 për qind)

“Ky studim global është një kujtesë e fortë se kanceri i gjirit vazhdon të shkatërrojë shumë jetë, jo vetëm këtu por në mbarë botën. Synimi ynë është që deri në vitin 2050, çdo person me kancer gjiri të jetojë dhe të jetojë mirë”, ka thënë Claire Rowney drejtoresha ekzekutive e Breast Cancer Now.

Ndërsa Sophie Brooks nga Cancer Research UK ka shtuar se këto shifra janë një kujtesë e dhimbshme për barrën e madhe që kanceri i gjirit vazhdon të ketë tek gratë në mbarë botën.

“Parandalimi mbetet kyç, pasi një numër i konsiderueshëm rastesh lidhen me faktorë të shmangshëm si duhani, mbipesha dhe alkooli”, ka thënë Brooks.