Lifestyle

Vetëm pesë minuta ushtrime të shpejta mund ta përmirësojnë shëndetin e trurit

Ushtrimet

Ushtrimet

Studimi i ri nga Universiteti i Australisë Jugore ka treguar se edhe pak minuta aktivitet fizik me intensitet të lartë, si ecja e shpejtë apo vrapi i lehtë, mund të sjellin përfitime të mëdha për shëndetin e trurit tek të moshuarit, ka shkruar “Neuroscience News”.

Pikat kryesore të studimit:

Ushtrimet në formë mesatare deri në të fuqishme përmirësojnë shpejtësinë e përpunimit të mendimeve, kujtesën afatshkurtër dhe funksionet ekzekutive.

Edhe vetëm 5 minuta aktivitet fizik intensiv në ditë mjaftojnë për të parë ndryshime pozitive në tru.
Më pak aktivitet shoqërohet me rënie të aftësive njohëse, prandaj mënyra se si e kalojmë ditën ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor.

“Aktivitetet që na rrisin ritmin e zemrës dhe frymëmarrjen, si ushtrimet aerobike, ndikojnë në mënyrë të qartë në mënyrën se si truri mendon, planifikon dhe mban mend informacionin”, ka thënë doktoresha Maddison Mellow, studiuesja kryesore nga Universiteti i Australisë Jugore.

Studimi u realizua në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve “AdventHealth” në SHBA dhe ka analizuar të dhënat e 585 të moshuarve (65–80 vjeç) nga studimi IGNITE, duke matur kohën që kalojnë në gjumë, ulur, në lëvizje të lehta dhe në ushtrime më intensive gjatë një dite të plotë.
“Nga asnjë aktivitet fizik i fuqishëm, tek vetëm 5 minuta në ditë, ndikimi në tru ishte i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Mellow.

Çfarë ndodh në tru kur njerëzit bëjnë ushtrime?

Studimi ka zbuluar se aktiviteti fizik me intensitet të lartë përmirëson:

-Shpejtësinë e përpunimit të informacionit (si shpejtësia për të menduar),
-Funksionin ekzekutiv (si planifikimi, fokusimi dhe shumëfishimi i detyrave),
-Kujtesën afatshkurtër (ruajtja e informacionit për një kohë të shkurtër).

Nga ana tjetër, mungesa e këtij lloj aktiviteti lidhej me rezultate më të dobëta në këto fusha.

“Ka vetëm 24 orë në ditë, dhe mënyra si i ndajmë mes gjumit, qëndrimit ulur dhe lëvizjes, ndikon drejtpërdrejt në tru”, ka thënë doktoresha Audrey Collins, bashkautore e studimit.

Pse kjo është e rëndësishme?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në vitin 2030 një në gjashtë njerëz në botë do të jetë mbi 60 vjeç. Prandaj, përfshirja e aktivitetit fizik në jetën e përditshme është një nga mënyrat më të thjeshta dhe efektive për të ruajtur funksionet mendore teksa njerëzit plaken.

“Të rrisësh aktivitetin fizik është një nga investimet më të mira për trurin dhe mirëqenien afatgjatë.

Edhe pak, vetëm 5 minuta në ditë, mund të bëjnë ndryshimin”, ka theksuar Collins.