Kanceri i zorrës së trashë që njihet si kanceri kolorektal është një nga llojet më të zakonshme dhe më vdekjeprurëse të kancerit në botë, vetëm këtë vit, pritet të shkaktojë pothuajse 53,000 vdekje në SHBA. Ajo që po shqetëson shkencëtarët është se rastet po rriten edhe te të rinjtë, dhe arsyeja e kësaj rritjeje ende nuk është kuptuar plotësisht, ka raportuar The New York Post.
Ani pse ekzaminimet e hershme mund të jenë të pakëndshme, ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme sepse mund të shpëtojnë jetë duke rritur shanset për trajtim të suksesshëm. Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së (USPSTF) aktualisht rekomandon që të rriturit nga mosha 45 deri në 75 vjeç të bëjnë kontrollin për kancer kolorektal.
Por një studim i ri nga Tajvani sugjeron që njerëzit duhet të fillojnë edhe më herët. Sipas këtij studimi, fillimi i kontrollit në moshën 40 vjeç mund të ulë rastet me kancer kolorektal me 21 për qind dhe të ulë rrezikun e vdekjes nga kjo sëmundje me 39 për qind, në krahasim me ata që fillojnë kontrollin në moshën 50 vjeçe.
“Rezultatet tona ofrojnë mbështetje të fortë që mosha për fillimin e kontrollit për kancerin kolorektal të ulet, duke pasur ndikime të mëdha për shëndetin publik”, thuhet në raportin e studimit që u publikua në JAMA Oncology.
Në këtë studim u përdor testi imunokimik fekal (FIT), një test i thjeshtë që mund të bëhet në shtëpi dhe që kontrollon nëse ka gjak të fshehur në jashtëqitje, i cili mund të jetë shenjë e rritjeve jonormale në zorrë ose në rektum.
Në studim morën pjesë gati 40,000 persona të grupmoshës 40-49 vjeç, të cilët iu nënshtruan kontrolleve të rregullta, ndërsa rreth 225,000 persona të grupmoshës 50-59 vjeç ndoqën programin standard të kontrollit.
Te grupi që filloi kontrollin më herët, u identifikuan 26.1% raste të kancerit për çdo 100,000 persona në vit, ndërsa në grupin që filloi kontrollin në moshë më të avancuar, shifra ishte 42.6% raste për 100,000 persona në vit.
“Nëse politikat e kontrollit të hershëm mund të zbatohen edhe në vende të tjera, duhet të vlerësohet me kujdes”, kanë theksuar studiuesit.
Ata shtuan gjithashtu se duke pasur parasysh gjetjet e tyre dhe studime të tjera të fundit që mbështesin fillimin e kontrollit nga mosha 45 vjeç, nevojiten kërkime të mëtejshme ndërkombëtare për të udhëzuar politikat globale të shëndetit mbi kontrollin e hershëm të kancerit kolorektal.
Në Tajvan, kanceri kolorektal është kanceri i dytë më i zakonshëm. Vetëm këtë vit, programi kombëtar i kontrollit është zgjeruar dhe tani përfshin personat nga mosha 45 deri në 74 vjeç, të cilët mund të kryejnë falas testin FIT çdo dy vjet.
Më herët, mosha minimale për t’u kontrolluar ishte 50 vjeç. Ndërkohë, personat e moshës 40-44 vjeç mund të bëjnë kontroll falas nëse kanë histori familjare me këtë sëmundje.
Në SHBA, që nga viti 2021, Task Forca e Shërbimeve Parandaluese uli moshën e rekomanduar për fillimin e kontrollit nga 50 në 45 vjeç.
USPSTF rekomandon që testi FIT të bëhet çdo vit. Metodat e tjera të kontrollit përfshijnë kolonoskopinë (një procedurë ku përmes një tubi me kamerë kontrollohet zorra dhe rektumi), kolonografinë me CT (një skanim me rreze X dhe kompjuter) dhe sigmoidoskopinë fleksibël, një alternativë më pak invazive se kolonoskopia.
Personat me histori familjare të kancerit kolorektal duhet të fillojnë kontrollin edhe më herët dhe të bëjnë ekzaminime më të shpeshta.
Në SHBA, Medicare Part B mbulon kontrollin vjetor me testin FIT për personat 45 vjeç e lart. Nëse rezultati i testit është pozitiv, Medicare mbulon edhe kolonoskopinë e radhës. Kjo moshë u ul nga 50 në 45 vjeç në vitin 2023.