Luftarake

Pse Distria është “mbretëreshë e Parisit”?

distria

Dy xhudiste të Francës fituan medalje të arta të shtunën në Grand Slamin e Parisit. Shirine Boukli ishte e artë në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Sarah Leonie Cysique në kategorinë deri 57 kilogramë.

Por është një xhudiste tjetër që është përshkruar si “mbretëreshë e Parisit” nga Unioni Evropian i Xhudos. Natyrisht, bëhet fjalë për Distria Krasniqin, kampionen e kategorisë deri 52 kilogramë. Ka shumë arsye për këtë.

Xhudistja kosovare e fitoi të shtunën medaljen e nëntë në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme të xhudos. Prej këtyre nëntë medaljeve, katër janë të arta. Ka edhe dy të argjendta e tri të bronzta.

Vetëm të marrësh pjesë nëntë herë rresht në Grand Slamin e Parisit është “goxha punë”. Dëshmon konsistencën dhe përkushtimin. Të fitosh nëntë medalje është e jashtëzakonshme. Në Paris konkurrenca është vazhdimisht shumë e fortë dhe kryesisht marrin pjesë xhudistët më të mirë në botë. Atmosfera po ashtu është madhështore, si në asnjë garë tjetër të xhudos.

Dhe në garën më të bukur të xhudos, Distria tashmë është bërë “si e shtëpisë”. Ka debutuar që në vitin 2014, kur u rendit e pesta, që ishte sukses i madh për xhudisten që sapo kishte nisur karrierën te të rriturat. E pesta ishte edhe në vitin 2015, ndërsa më pas zuri vend në podium sa herë që mori pjesë. Plot nëntë herë. Si asnjë xhudist tjetër që nuk është nga Franca. Edhe xhudistja ikonike franceze, Clarisse Agbegnenou i ka nëntë medalje në Paris.

Të shtunën, Distria ishte e pakonkurrencë. Kundërshtaret nuk i morën asnjë pikë. Madje as nuk e rrezikuan asnjëherë. Dhe finalen ndaj spanjolles Ariane Toro Soler e fitoi për vetëm 27 sekonda. Arsye tjetër që ajo u quajt “mbretëreshë e Parisit”.

Aktualisht 30-vjeçarja nga Peja duket e pandalshme. Dhe do të ishte befasi nëse në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Los Angeles 2028”, nuk do të fitonte medalje. Do të ishte e treta për Distrinë, që kështu do të shndërrohej në xhudistet më ikonike në histori. Prej më të mirave në histori tashmë është. Ka medalje të artë e të argjendtë olimpike. Ka medalje të argjendtë e dy të bronzta botërore. Mastersin e ka fituar katër herë, në garat Grand Slam i ka gjashtë të arta, pesë të argjendta e e gjashtë të bronzta. Ka tri të arta evropiane e shumë e shumë medalje të tjera.

“Finalja zgjati vetëm 27 sekonda. Përfundoi me një ‘o-soto-gari’ të fortë, të shndërruar në ‘harai-maki-komi’. Krasniqi vrapoi nga tatami në duart e trajnerit të saj për të festuar”, ka shkruar EJU.

“Distria Krasniqi është medaliste serike në çdo nivel”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF).

“Nga Kampionatet Botërore te Lojërat Olimpike, ajo është e mprehtë, e përgatitur mirë dhe jashtëzakonisht e fuqishme. E kishte fituar Grand Slamin e Parisit tri herë më parë, ajo e dinte se çka duhet dhe çka do të thotë të jesh kampione në ‘Bercy”, vazhdon shkrimi i IJF-së.

Distria nuk do të ndalet së shkruari histori. Gara të tjera vijnë për të së shpejti. Medalje të tjera po ashtu.