Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Të hënën filluan kualifikimet olimpike në xhudo, Kosova kërkon normat e radhës

Distria Krasniqi

Pak gjëra po ndryshojnë në sportin kosovar. Dhe për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” normat e pjesëmarrjes priten nga xhudistët e kryemjeshtrit Toni Kuka.

“Los Angles 2028” do të jetë Olimpiada e katërt verore për Kosovën. Në tri edicionet e kaluara të Lojërave Olimpike Verore, Kosova fitoi medalje. Të gjitha medaljet – tri të arta, një e argjendtë e një e bronztë – janë fituar në xhudo.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për të pretenduar medaljen në ngjarjen bindshëm më të madhe sportive, parakusht është sigurimi i normës olimpike. Sigurimi i normës ndër të tjera dëshmon nivelin serioz të sportistit.

Niveli i xhudistëve kosovarë është i tillë. Ata të hënën kanë nisur sulmin drejt normave të reja.

Të hënën zyrtarisht ka nisur periudha kualifikuese në sportin e xhudos. Periudha kualifikuese, e njohur edhe si cikli olimpik, përfundon më 12 qershor 2028. Më 15 qershor 2028 konfirmohen normat olimpike.

Prej një vendi në Olimpiadë mund të marr pjesë një xhudist në kategori. 342 pjesëmarrës në xhudo përcaktohen përmes normës olimpike. 10 marrin pjesë me ftesë për universalitet, 14 vende janë të rezervuar për nikoqirin dhe gjashtë vende janë të rezervuara si ftesë për garën mikse. Gjithsej do të garojnë 372 xhudistë, përkatësisht 186 xhudistë e 186 xhudiste.

17 vendet e para në ranglistën botërore në qershor 2028, në secilën kategori, sigurojnë normën olimpike. 

“Gara që më vonë këtë javë mbahet në Mongoli shënon edhe fillimin e ciklit olimpik dyvjeçar. Gjatë dy vjetëve për bazë merren 12 rezultatet më të mira. Gjashtë rezultatet më të mira të vitit të parë llogariten me 50 për qind të pikëve, ndërsa gjashtë rezultatet në vitin e fundit para Olimpiadës me 100 për qind. Synimet sa i takon xhudos, janë për 4-5 norma. Kaq e kemi potencialin”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të hënën për KOHËN.

Ai ditë më parë përmes një postimi ka shprehur brengën se sportisti nuk është prioritet i instuticioneve përgjegjëse. Kuka ka drojë që numri i normave të Kosovës do të jetë më i vogël se në Parisi 2024. Kryemjeshtri Kuka ka kërkuar që më shumë përkushim për sportistët, duke theksuar se forca e një vendi në sport matet edhe me norma të fituara për Lojëra Olimpike.

Për Rio 2016, Kosova i kishte vetëm dy norma në xhudo. Për “Tokio 2020”, që u mbajtën në vitin 2021, Kosova i kishte pesë norma në xhudo e një në mundje. Për “Parisi 2024” sërish u fituan plot pesë norma në xhudo dhe një në boks. 

Në Mongoli, Kosova nuk do të ketë xhudistë. Ndërkohë në Qingdao të Kinës, pas dhjetë ditësh, do të garojnë Dardan Cena, Erza Muminoviq, Fatjona Kasapi, Flaka Loxha e Laura Fazliu. Të gjithë këta vlerësohen me potencial për normë. 

Por është thuajse e sigurt se me normë drejt Amerikës në vitin 2028 do të udhëtojnë Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Akil Gjakova.