Rajon

Ahmeti: Fituam shumicën e votave në nivel kombëtar, humbja në komuna është thirrje për forcim

Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë se kanë fituar shumicën e votës kombëtare në nivel vendi.

Ai në një konferencë për media nga selia e BDI-së ka thënë se e pranojnë rezultatin për komuna.

“Ne kemi shumicën e votës në mbarë vendin, apo më mirë të thuhet të votës kombëtare në mbarë vendin. Mbi 23 mijë vota më shumë, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Ne e pranojmë këtë rezultat. Ne kemi fituar votën e shumicës, votën e popullit. Humbja e disa pozicioneve është një thirrje për t’u forcuar strukturat, për t’u afruar më shumë me njerëzit”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka theksuar se fitorja e votës popullore me mbi 23 mijë vota epërsi është mandat moral dhe politik që u jep motiv që të punojnë më të bashkuar me qytetarët.

“Besimi i qytetarëve nuk është zbehur, por është përforcuar. Ne do të bëjmë analizë të thelluar, do të rinovojmë radhët tona”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka shtuar se gjatë procesit zgjedhor pati keqpërdorim të resurseve shtetërore, të orkestruar sistematikisht dhe se pati shantazh e presion financiar mbi votuesit.

“Këto praktika të pandershme e dëmtojnë votëbesimin e qyteteve në procesin zgjedhor”, tha Ahmeti, raportoi KosovaPress.

Lexo përditësimet tjera
Maqedonia e Veriut

Balotazhi i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut