Nga data 22 deri më 24 Tetor 2025, CIGRE Kosovë organizon Konferencën e 3-të, ngjarjen më të madhe në sektorin e energjisë në vend, ku ekspertiza botërore takohet me sfidat lokale, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe shkëmbimi të dijes.
Konferenca 3-ditore përfaqëson një forum profesional dhe të specializuar në fushën e energjisë, e cila organizohet nën ombrellën e CIGRE – rrjet global i ekspertëve të energjisë elektrike, që ka rol kyç në avancimin e teknologjive dhe politikave energjetike në mbarë botën.
Një ndër arsyet kryesore për organizimin e kësaj ngjarjeje është nevoja për të përfshirë dhe informuar profesionistët vendorë mbi misionin e CIGRE-së ndërkombëtare, si dhe për të vënë në dispozicion ekspertizën dhe njohuritë globale në funksion të politikëbërjes lokale.
Fokus i veçantë i kësaj konference do të jetë tranzicioni i drejtë energjetik – një proces i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë mjedisore të Kosovë.
Agjendë e pasur: Panele, prezantime teknike dhe ekspozitë teknologjike
Konferenca pritet të mbledhë mbi 200 përfaqësues nga institucionet shtetërore, universitete, kompani energjetike, si dhe ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.
Gjatë tri ditëve të konferencës, do të prezantohen rreth 50 punime shkencore dhe teknike, të ndara sipas Komiteteve Studimore dhe temave preferenciale. Këto punime përfaqësojnë kërkime, përvoja praktike dhe inovacione teknologjike – duke krijuar një platformë bashkëpunuese për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet në sektorin energjetik.
Programi përfshin edhe tre panele të fokusuara, si më poshtë:
• Paneli i CEO-ve të sektorit të energjisë – me temën:
“Sfidat e sektorit të energjisë në integrimin e burimeve të ripërtëritshme – Perspektiva e CEO-ve”
• Paneli i Universiteteve – që do të trajtojë rolin e arsimit të lartë në përgatitjen e kuadrove për sektorin energjetik, me fokus në sfidat dhe mundësitë që sjell tranzicioni.
• Paneli “Gratë në Energji” (WiE) & NGN i cili thekson rolin aktiv të grave profesioniste në sektor dhe mbështetjen për brezin e ri të inxhinierëve, duke promovuar zhvillimin e tyre profesional.
Ngjarja do të shoqërohet gjithashtu me prezantime teknike nga sponsorët dhe një ekspozitë të pajisjeve elektrike dhe teknologjive të reja, që do të ofrojë mundësi për rrjetëzim dhe prezantim të risive më të fundit në industri.
Regjistrohu për të marrë pjesë
Për të marrë pjesë në konferencë, regjistrimi është i hapur për të gjithë të interesuarit.
Kliko këtu për regjistrim https://cigre-ks.com/regjistrimi-si-pjesejmarres-konference-3/
CIGRE Kosovë fton të gjithë profesionistët, studiuesit dhe palët e interesuara në sektorin energjetik që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, që po e pozicionon Kosovën si një pikë takimi për ekspertizën rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e energjisë elektrike.
Artikull i sponsorizuar*