Showbiz

Avokatët e P.Diddyt do të apelojnë vendimin për dënim

P.Diddy në gjyq

P.Diddy në gjyq

Foto: Associated Press

Avokatët e reperit, Sean “Diddy” Combs, kanë njoftuar se do të apelojnë vendimin e gjykatës, pasi artisti fitues i çmimeve “Grammy” u dënua të premten me më shumë se katër vjet burgim për transportimin e njerëzve nëpër shtete të ndryshme për qëllime seksuale. 

Rasti tronditi imazhin e tij të ndërtuar me kujdes si biznesmen karizmatik, mik i yjeve të Hollydoodit dhe figurë televizive, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm në përballjen publike të reperit 55-vjeçar me të kaluarën e tij. Gjatë seancës, Combs shpërtheu në lot ndërsa avokatët e tij shfaqën një video që tregonte jetën e tij familjare, karrierën dhe punën bamirëse.

Gjykatësi federal Arun Subramanian e dënoi gjithashtu me gjobë prej 500 mijë dollarësh, shumën maksimale të lejuar.

Në korrik, Combs u shpall fajtor për transportimin e të dashurave dhe punëtorëve burra të seksit nëpër SHBA për të marrë pjesë në “kontakte seksuale me drogë dhe dhunë”.

Procesi gjyqësor, që zgjati pothuajse dy muaj në një gjykatë federale në Manhattan, solli dëshmi tronditëse nga gra që thanë se Combs i kishte “rrahur, kërcënuar, përdhunuar dhe shantazhuar”.
Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për trafikim seksual dhe shantazh, për të cilat do të mund të dënohej me burgi të përjetshëm.

Sa kohë do të qëndrojë në burg?

Combs u dënua me 4 vjet e 2 muaj burgim, por ai tashmë ka kaluar një vit në paraburgim, që do të llogaritet në dënim. Kjo do të thotë se mund të lirohet pas rreth tre vjetsh.

Prokurorët kërkuan dënim prej mbi 11 vjetësh, ndërsa avokatët e Combs kërkuan lirimin e menjëhershëm, duke thënë se koha në burg e ka bërë atë “t'i kuptojë gabimet”.

“Jam thyer deri në palcë, por kjo më ka bërë njeri të ri” , ka shkruar ai në një letër drejtuar gjyqtarit një ditë para dënimit.

Avokatët e tij konfirmuan se do të apelojnë vendimin, ndërsa sistemi federal nuk lejon lirime me kusht.

Prokurorja Christy Slavik ka thënë se “të falësh Combsin do të thotë të justifikosh vite dhune”.
Dëshmitarja kryesore e çështjes, ish- e dashura e Combsit, këngëtarja , Cassie Venturam, përmes një letre, i kërkoi gjyqtarit të mos tregonte mëshirë, duke thënë se ndihet e rrezikuar nëse ai lirohet.

Ku po e vuan dënimin?

Combs ndodhet në një burg federal në Brooklyn, ku ishte dërguar pas arrestimit vitin e kaluar. Ky institucion është përdorur kryesisht për paraburgim dhe dënime të shkurtra, por është kritikuar për kushtet e vështira që nga vitet ’90.

Avokatët e tij kërkuan që ai të priste gjyqin në arrest shtëpiak në vilën e tij në Miami Beach, por kërkesa u refuzua. Ende nuk është bërë e qartë nëse pjesën tjetër të dënimit do ta vuajë në institucionin federal të sigurisë së ulët në Miami, ku ndodhen rreth 1,000 të burgosur.

Çfarë ndodhi gjatë gjyqit?

Ish-e dashura e tij, këngëtarja Ventura, tregoi para jurisë se Combsi e kishte detyruar “të kryente marrëdhënie seksuale të neveritshme me burra të panjohur qindra herë gjatë 10 vjetëve sa ishin në lidhje”.
U shfaq edhe një video ku ai shihej duke e “tërhequr zvarrë dhe rrahur në korridorin e një hoteli në Los Angeles” pas një prej atyre netëve të ashtuquajtura “freak-off”.

Një grua tjetër, e identifikuar si “Jane”, dëshmoi se ishte detyruar të merrte pjesë në akte seksuale dhe të drogohej, ndërsa Combs e “shikonte dhe ndonjëherë xhironte.”

Avokatët e tij argumentuan se “qeveria po përpiqej të kriminalizonte shijet seksuale konsensuale, ani pse jo të zakonshme”.

Ligji që ai theu

Combs u dënua për shkeljen e Ligjit Federal “Mann Act”, një ligj mbi prostitucionin që ekziston prej më shumë se një shekulli. Ai ndalon transportimin e dikujt nëpër shtete të ndryshme për prostitucion ose veprime seksuale të paligjshme.

Avokati i tij, Jason Driscoll, ka thënë se “ligji u zbatua gabimisht në këtë rast”.

“Rënia” e Diddy-t

Rënia e tij nisi në vitin 2023, kur Ventura e paditi për “vite abuzimi seksual dhe fizik”. Rasti u mbyll me një marrëveshje prej 20 milionë dollarësh, që ajo e zbuloi publikisht gjatë gjyqit. Pas saj, dhjetëra persona të tjerë ngritën akuza të ngjashme.

Hetimet federale për trafikim seksual dhe bastisjet e njëkohshme në shtëpitë e tij në Los Angeles dhe Miami e shndërruan rastin në një nga më të përfolurit në SHBA.

Si u reflektua rasti në kulturën pop

Gjatë bastisjeve, agjentët federalë sekuestruan mbi 1,000 shishe vajrash për masazh dhe lubrifikantë, duke u kthyer në objekt talljeje në rrjete sociale dhe emisione si “Saturday Night Live”.

Rasti e shndërroi Combsin nga ikonë e hip-hop-it në figurë për humor të zi. Shumë yje që kishin bashkëpunuar me të u kritikuan publikisht, ani pse asnjëri nuk u përfshi në hetim.