Showbiz

Ish-e dashura detyrohet t’i lexojë në gjykatë mesazhet e dashurisë që ia kishte dërguar Diddyt

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Në ditën e dytë të pyetjeve nga mbrojtja, avokatja e reperit të njohur Sean “Diddy” Combs, Teny Geragos, e bëri ish-të dashurën e tij të lexonte me zë të lartë një sërë mesazhesh dashurie që ajo i kishte dërguar atij gjatë viteve të fundit, derisa ajo u lëndua dhe filloi të qante në sallën e gjyqit, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Gruaja, e cila po dëshmon nën pseudonimin “Jane”, po përballet me marrje në pyetje në mënyrë intensive nga avokatët e reperit, të cilët po përpiqen të dëshmojnë se marrëdhënia e saj me Combs ishte me pëlqim dhe se ajo kishte marrë pjesë me dëshirë në aktet seksuale me punonjës seksi, të cilat Combs i organizonte dhe i shikonte për orë të tëra.

Gjatë seancës, Jane ka lexuar dhjetëra mesazhe që kishte shkëmbyer me Combs nga viti 2021 deri në arrestimin e tij në shtator të vitit të kaluar.

“Asnjëherë nuk kam pasur një burrë që të kujdeset për mua si ti”, thuhej në përmbajtjen e njërit nga mesazhet që lexoi Jane. Ndërsa në një tjetër i shprehte dashurinë e saj të pakufishme. Në atë moment, ajo ndaloi së lexuari, filloi të përlotej dhe fshiu sytë me një shami.

Pas ndërhyrjes së prokurorëve dhe një diskutimi privat me gjyqtarin larg jurisë, Jane qëndroi e ulur e përkulur në karrige, me flokët që i mbulonin pjesërisht fytyrën. Ndërkohë, Combs qëndronte i qetë duke lexuar në një nga monitorët përpara tij.

Ishte dita e pestë e dëshmisë së Jane, e cila kishte pranuar më herët se ende e donte Combsin. Ajo kishte shpjeguar se kishte fituar vetëdije mbi marrëdhënien e tyre pas tre muajsh terapi. Jane ka thënë gjithashtu se “kurrë nuk kam dashur të kem marrëdhënie seksuale me ndonjë burrë tjetër përveç Combs, por e bëja për ta kënaqur atë”.

Avokatja Geragos ka theksuar gjatë pyetjeve se Jane shpesh zemërohej me Combsin dhe kishte dashur ta mbyllte marrëdhënien, veçanërisht kur ai i trajtonte më mirë të dashurat e tjera. Në një rast, Jane pranoi se Combs i kishte blerë një tjetër të dashure një set bizhuterish identik me atë që i kishte dhuruar asaj.

Prokuroria e akuzon Combsin për trafikim seksual dhe përfshirje në konspiracion kriminal, duke pretenduar se ai ka përdorur kërcënime, drogë dhe dhunë për të detyruar gratë të marrin pjesë në akte seksuale të padëshiruara dhe se ka përdorur punonjësit dhe bashkëpunëtorët e tij për të realizuar këto veprime. Combs, 55 vjeç, është deklaruar i pafajshëm. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me dënim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Prokurorja Maurene Comey ka njoftuar se prokuroria mund ta përfundojë paraqitjen e provave deri të mërkurën e ardhshme.

Nga ana e tij, avokati i Combsit, Marc Agnifilo, nuk ka dhënë detaje se çfarë dëshmitarësh do të thërrasë pala mbrojtëse, duke thënë se kjo do të varet nga lëvizjet e prokurorisë, por u shpreh i bindur se “gjyqi do të përfundojë deri në Ditën e Pavarësisë, më 4 korrik”.