Showbiz

Denis Villeneuve do të jetë regjisori i filmit të ri të James Bondit

Denis Villeneuve

Regjisori franko-kanadez, Denis Villeneuve, i nominuar për çmimin Oscar, do të jetë regjisor i filmit të ardhshëm të James Bond, ka njoftuar Amazon MGM Studio.

Regjisori i “Dune” tha në një deklaratë të lëshuar nga studio se ai ishte fans shumë i madh i James Bondit dhe e konsideron nder të jetë pjesë e franshizës.

Ka pasur vazhdimisht spekulime për të ardhmen e producentëve të filmave të 007, Barbara Broccoli dhe Michael G Wilson të cilët u tërhoqën nga rolet e tyre në shkurt.

Villeneuve do të shërbejë po ashtu si producent ekzekutiv i filmit të ri, pas vlerësimeve të larta globale për filmin “Blade 2049” dhe “Arritja”.

Amazon nuk ka dhënë ndonjë detaj për aktorin e ardhshëm që do ta luajë James Bondin, pasi Daniel Graig u tërhoq nga roli.

Villeneuve e di për “përgjegjësinë e madhe” për të drejtuar filmin.

“Jam rritur duke shikuar me babanë tim filmat e James Bond. Jam një fans shumë i madh i James Bondit. Për mua, ky është një territor i shenjtë. Synoj ta vazhdoj traditën dhe të hap rrugë për misione të reja që do të vijnë”.

Ai ka shtuar se ai dhe producentët Amy Pascal dhe David Heyman, të cilët kanë mbikëqyrur filmat si Spider-Man dhe Herry Potter, janë të entuziazmuar ta rikthejnë Bondin në ekrane.

Shefi i Amazon MGM Studios, Mike Hopkins e ka përshkruar Villeneueven si “mjeshtër të kinemasë” duke vënë në pah aftësinë e tij për të dhënë “tregime impresive” për audiencën globale.

Është ende e paqartë se kur do të dalë filmi i Bondit, derisa janë duke vazhduar kërkimet për aktorin i cili do ta luajë këtë rol.

Aktorët britanikë  Aaron Taylor-Johnson dhe James Norton janë përmendur si emra që do të mund ta vazhdojnë këtë rol, derisa është përmendur edhe emri i aktori Paul Mescal.

Villeneuve ka fituar vëmendjen me suksesin e serive Sicario, Prisoners dhe Incendies.

Në vitin 2016 projekti i tij “Arrival” fitoi nominimin për Oscar.

Villeneuve pritet që të fillojë xhirimet e “Dune Messiah”, filmi i tretë i franshizës “Dune” gjatë këtij viti, me mundësinë që të publikohet në vitin 2026.