Showbiz

Dreka më e mirë për jetëgjatësi

Ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i shëndetshëm

Sipas dietologëve avokado e mbushur me salmon, është zgjedhje ideale për plakje të shëndetshme.

Shumica e njerëzve duan të ruajnë energjinë, kujtesën dhe forcën fizike me kalimin e viteve. Edhe pse gjenetika ka ndikim, ushqimi i përditshëm luan rol  të rëndësishëm në mënyrën se si plaket njeriu. Qëllimi nuk është vetëm të jetojmë më gjatë, por të jetojmë më mirë.

Sipas dietologëve të licencuar, dreka ideale për jetëgjatësi duhet të përmbajë yndyra të shëndetshme, proteina cilësore dhe fibra, ka shkruar EatingWell.

Një kombinim i tillë është avokadoja e mbushur me salmon, një vakt i thjeshtë, i shijshëm dhe shumë ushqyes, sidomos kur shoqërohet me stil jetese të balancuar.

Ndihmon në uljen e inflamacionit

Inflamacioni kronik, i njohur edhe si “inflammaging”, lidhet me shumë sëmundje të moshës, përfshirë problemet e zemrës dhe artritin. Salmoni është i pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit.

“Omega-3 janë shumë të rëndësishme për të luftuar inflamacionin kronik, që është një nga shkaktarët kryesorë të plakjes”, ka thënë dietologia Carrie Gabriel.

Mbron shëndetin e trurit

Truri ka nevojë për yndyra të shëndetshme për të funksionuar siç duhet. Salmoni përmban DHA, një omega-3 shumë i rëndësishëm për kujtesën dhe funksionin njohës.

“Salmoni ndihmon në mbrojtjen e qelizave të trurit dhe ruajtjen e kujtesës me kalimin e moshës”, shpjegon dietologia Juliana Crimi.

Ndihmon përthithjen e vitaminave

Vitaminat A, D, E dhe K kanë nevojë për yndyra që të përthithen nga trupi. Avokadoja, e pasur me yndyra të shëndetshme, ndihmon trupin të përfitojë më shumë nga lëndët ushqyese.

“Yndyrat e shëndetshme të avokados ndihmojnë përthithjen e vitaminave”, ka thënë Crimi.

Mbështet muskujt

Pas moshës 30-vjeçare, masa muskulore fillon të ulet gradualisht. Proteinat cilësore nga salmoni dhe jogurti grek ndihmojnë në ruajtjen e muskujve dhe forcës. Dreka e pasur me proteina ju mban të ngopur më gjatë dhe ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak.

Këshilla shtesë për plakje të shëndetshme

Gjumi cilësor prej 7-9 orësh në natë është i rëndësishëm për trupin dhe trurin. Ushtrimet me peshëngritje ndihmojnë në ruajtjen e muskujve, ndërsa ushqimet e pasura me fibra mbështesin tretjen dhe shëndetin e zemrës.