Showbiz

Fëmijët e Rob dhe Michelle Reiner flasin për herë të parë pas vdekjes së prindërve

Jack dhe Romy Reiner me prindërit Rob dhe Michelle Reiner

Jack dhe Romy Reiner me prindërit Rob dhe Michelle Reiner

Foto: Associated Press

Jake dhe Romy Reiner, fëmijët e yjeve të Hollywoodit, Rob dhe Michele Reiner, kanë reaguar për herë të parë publikisht pas vrasjes tronditëse të prindërve të tyre, të cilët u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre në Brentwood të Kalifornisë. Vëllai i tyre, Nick Reiner, 32 vjeç, është arrestuar dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë.

Jack dhe Romy Reiner me prindërit Rob dhe Michelle Reiner

“Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar dhimbjen e paimagjinueshme që po përjetojmë në çdo moment të ditës. Humbja e tmerrshme dhe shkatërruese e prindërve tanë, Rob dhe Michele Reiner, është diçka që askush nuk duhet ta përjetojë. Ata nuk ishin vetëm prindërit tanë; ishin miqtë tanë më të mirë”, kanë thënë Jake e Romy në një deklaratë për revistën People.

Ata kanë falënderuar gjithashtu të gjithë ata që u kanë qëndruar pranë në këtë periudhë të vështirë.

“Jemi mirënjohës për ngushëllimet, mirësinë dhe mbështetjen e madhe që kemi marrë, jo vetëm nga familja dhe miqtë, por edhe nga njerëz të panumërt nga të gjitha shtresat e shoqërisë”, thuhet në deklaratë.

Jack dhe Romy Reiner me prindërit Rob dhe Michelle Reiner

Në fund, ata kërkuan respekt dhe ndjeshmëri nga publiku dhe mediat.

“Tani kërkojmë respekt dhe privatësi. U bëjmë thirrje njerëzve që spekulimet të zbuten me dhembshuri dhe humanizëm dhe që prindërit tanë të kujtohen për jetën e jashtëzakonshme që jetuan dhe dashurinë që dhanë”, deklaruan ata.

Nick Reiner u paraqit për herë të parë në gjykatë të mërkurën, një ditë pasi u akuzua zyrtarisht për vrasjen e prindërve të tij. Ai nuk dha deklarim fajësie dhe pranoi që seanca e radhës, ajo e aktakuzës, të shtyhet për më 7 janar.

Rob dhe Michele Reiner u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre të dielën pasdite, ndërsa Nick u arrestua po atë mbrëmje.

Sipas The New York Times, Romy ishte ajo që zbuloi trupin e të atit, pasi një terapist masazhi nuk kishte arritur t'i kontaktonte prindërit e saj. Nëse shpallet fajtor, Nick Reiner mund të përballet me dënim me vdekje ose burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.