Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Justin Timberlake nuk dëshiron t’i publikohen pamjet e arrestimit në vitin 2024

Justin Timberlake

Justin Timberlake

Foto: Associated Press

Ylli i muzikës pop Justin Timberlake ka ndërmarrë veprime ligjore për të bllokuar publikimin e pamjeve të regjitruara nga policia gjatë arrestimit të tij në New York në vitin 2024, ka raportuar NBC News.

45-vjeçari u ndalua nga policia në muajin qershor të vitit 2024 në Sag Harbor, pasi dyshohet se kishte kaluar një shenjë “STOP” dhe po lëvizte në mënyrë të parregullt mes korsive. Më vonë ai u deklarua fajtor për një shkelje trafiku dhe për drejtim mjeti në gjendje të paaftë, por e mohoi se ka qenë i dehur. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tani, sipas raportimit të rubrikës Page Six, avokatët e tij kanë dorëzuar dokumente në gjykatë për të ndaluar publikimin e videos së arrestimit, pas kërkesave të bëra në bazë të ligjit për Lirinë e Informimit (FOIA).

Sipas dokumenteve ligjore, pamjet e tregojnë këngëtarin “në një gjendje veçanërisht të ndjeshme gjatë një ndërveprimi në rrugë me forcat e rendit” dhe përmbajnë “detaje intime” mbi “pamjen fizike, sjelljen, të folurin dhe veprimet” e tij.

Avokati i Timberlake, Michael Del Piano, ka argumentuar se publikimi i videos do t’i shkaktonte “dëm të rëndë dhe të pariparueshëm” reputacionit personal dhe profesional të artistit, si dhe do ta ekspozonte ndaj “talljes dhe ngacmimeve publike”.

“Publikimi i kësaj videoje do të përbënte një shkelje të pajustifikuar të privatësisë së Timberlake”, ka shtuar avokati.

Pas pranimit të fajësisë, ylli u urdhërua të kryejë 25 deri në 40 orë shërbim komunitar, iu pezullua patenta në New York për 90 ditë dhe u gjobit me 500 dollarë, si dhe me një shtesë prej 260 dollarësh tarifë administrative.

Pas përfundimit të çështjes, këngëtari u bëri thirrje të tjerëve të mësojnë nga gabimi i tij.

“Ajo që dua t’u them të gjithëve që po shikojnë dhe dëgjojnë: edhe nëse keni pirë vetëm një pije, mos u ulni para timonit. Ka kaq shumë alternativa. Thërrisni një mik, merrni një Uber, ka shumë aplikacione transporti, merrni një taksi. Ky është një gabim që e bëra unë, por shpresoj që kushdo që po më dëgjon tani të mësojë nga ky gabim”, ka thënë ai duke folur para mediave jashtë gjykatës në New York.

Më herët, Timberlake pati deklaruar se kishte konsumuar vetëm një pije alkoolike para arrestimit. Gjatë një seance gjyqësore, avokati tjetër i tij, Ed Burke, ka thënë para gjykatës se me rëndësi është që këngëtari nuk ishte i dehur kur u arrestua.

“Fakti më i rëndësishëm për këtë çështje është se Justin nuk ishte i dehur dhe nuk duhej të ishte arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur (DWI)”, ka thënë Burke.