Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lively e kompania e Baldonit arrijnë marrëveshje dy javë para gjyqit

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Foto: Associated Press

Aktorja Blake Lively dhe kompania e aktorit e producentit, Justin Baldoni, “Wayfarer”, kanë arritur një marrëveshje, vetëm dy javë para nisjes së gjyqit, ka raportuar CNN.

Beteja ligjore shumë e ndjekur nga publiku nuk do të shkojë më në gjykatë, pasi palët njoftuan se kanë rënë dakord për një zgjidhje. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë publike menjëherë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lively kishte paraqitur një ankesë ku pretendonte se Baldoni e kishte ngacmuar seksualisht gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”, ku ata luanin bashkë dhe që drejtohej nga ai. Sipas saj, më pas ai kishte organizuar një fushatë për ta diskredituar, si hakmarrje pasi ajo kishte fo për trajtimin që pretendon se kishte përjetuar. Baldoni i ka mohuar të gjitha akuzat.

Muajin e kaluar, një gjyqtar federal rrëzoi 10 nga 13 akuzat e ngritura nga Lively, përfshirë ngacmimin seksual dhe shpifjen, duke e ngushtuar ndjeshëm çështjen. Disa prej tyre, përfshirë ato për ngacmim seksual, u hodhën poshtë për arsye teknike ligjore, si fakti që Lively konsiderohej kontraktore e pavarur dhe jo punonjëse.

Tri akuzat që mbetën, hakmarrja, ndihma në hakmarrje dhe shkelja e kontratës, nuk ishin drejtpërdrejt kundër Baldonit, por ndaj kompanisë së tij të prodhimit “Wayfarer”, një shoqërie të krijuar për filmin, si dhe një kompanie të marrëdhënieve me publikun të angazhuar nga ekipi i tij.

Gjyqi pritej të niste më 18 maj me përzgjedhjen e jurisë dhe do të ishte kulmi i një drame ligjore që ka zgjatur rreth një vit dhe ka tërhequr vëmendje të madhe publike.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën nga avokatët e Lively dhe të pandehurve të mbetur, u pranua se procesi i realizimit të filmit “ka paraqitur sfida” dhe se “shqetësimet e ngritura nga zonja Lively meritonin të dëgjoheshin”.

“Ne mbetemi të përkushtuar fuqishëm për vende pune pa sjellje të papërshtatshme dhe pa ambiente joproduktive. Shpresojmë sinqerisht që kjo marrëveshje të përmbyllet dhe t’u lejojë të gjithëve të ecin përpara në mënyrë konstruktive dhe në paqe, përfshirë edhe një ambient më të respektueshëm në internet” thuhet në deklaratë.

Përplasja ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni filloi në fund të vitit 2024, kur The New York Times raportoi se Lively kishte paraqitur një ankesë pranë Departamentit për të Drejtat Civile në Kaliforni për sjelljen e dyshuar të Baldonit gjatë dhe pas xhirimeve të filmit.

Më pas, ajo ngriti një padi civile në një gjykatë federale në New York kundër Baldonit, kompanisë së tij “Wayfarer Studios” dhe disa personave të tjerë.

Në ankesë, Lively pretendonte se Baldoni bënte komente seksuale ndaj grave në set dhe fliste për jetën e tij seksuale, përfshirë “varësinë e mëparshme nga pornografia”. Ajo e akuzoi gjithashtu se kishte improvizuar skena intime që nuk ishin planifikuar më parë, përfshirë disa që më pas u publikuan.

Në dokumentet gjyqësore, Baldoni u përgjigj se këto sjellje “nuk ishin më shumë se keqkuptime dhe komente të sikletshme”, duke shtuar se disa nga bisedat ishin të lidhura me tematikat e filmit, i cili trajton çështje intime të të rriturve. Ai ka thënë se ekipi i produksionit i kishte dëgjuar shqetësimet e Livelyt në atë kohë dhe kishte bërë ndryshimet që ajo kishte kërkuar.

Lively gjithashtu pretendoi se Baldoni dhe ekipi i tij “e kthyen një ushtri digjitale në armë” për të ndikuar opinionin publik kundër saj.

Nga ana tjetër, avokatët e Baldonit argumentuan se ekipi i marrëdhënieve me publikun kishte ndjekur praktika standarde, pasi Lively “kishte nisur të shkatërronte reputacionin e tij”.

Procesi ligjor u shoqërua me përplasje të vazhdueshme që dominuan mediat, sidomos kur mesazhe private dhe video nga xhirimet u bënë publike. Në një moment, edhe komunikimi i Lively me superyllin Taylor Swift u bë pjesë e vëmendjes.

Vitit të kaluar, avokatët e Lively akuzuan avokatin e Baldonit, Bryan Freedman, se kishte bërë deklarata publike “të njëanshme dhe çorientuese”, duke kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për të përcaktuar kufijtë e sjelljes së avokatëve. Gjyqtari i çështjes u kërkoi palëve të shmangnin deklaratat publike që mund të ndikonin procesin.

Gjatë kësaj periudhe, Baldoni ngriti edhe një padi për shpifje në vlerë 400 milionë dollarë kundër Livelyt dhe bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, duke i akuzuar se “i kishin rrëmbyer filmin” dhe kishin tentuar të shkatërronin karrierën e tij. Një gjyqtar federal e hodhi poshtë këtë padi në muajin qershor të vitit të kaluar.

Vendimi i gjykatës nuk trajtoi nëse akuzat e Baldonit ishin të vërteta apo jo, por theksoi se pretendimet e Livelyt për ngacmim seksual janë të mbrojtura nga ligji dhe nuk mund të përdoren si bazë për një padi për shpifje.

Gjykatësi hodhi poshtë edhe padinë për shpifje që Baldoni kishte ngritur ndaj The New York Times, ku ai pretendonte se artikulli i gazetës ishte “i mbushur me pasaktësi, shtrembërime dhe mungesë informacioni”.

Gazeta e mbrojti raportimin e saj, duke deklaruar se artikulli ishte “raportuar me kujdes maksimal dhe me përgjegjësi”.