Showbiz

Matthew McConaughey patenton frazën “Alright, alright, alright”

Matthew McConaughey

Matthew McConaughey

Foto: Associated Press

Aktori Matthew McConaughey, ka vendosur të mbrojë një nga frazat më të njohura në historinë e kinemasë: “Alright, alright, alright”.

56 vjeçi, e ka regjistruar zyrtarisht këtë shprehje si markë tregtare, për të parandaluar përdorimin e saj pa leje, sidomos në përmbajtje të krijuara nga inteligjenca artificiale, ka shkruar The New York Post.

Shprehja u bë e famshme në filmin kult “Dazed and Confused” të vitit 1993, ku McConaughey e tha për herë të parë në rolin e David Wooderson. Tani, pas më shumë se 30 vjetësh, ai po ndërmerr hapa ligjorë për të mbrojtur identitetin dhe zërin e tij nga keqpërdorimi digjital.

Sipas dokumenteve të regjistrimit, marka përshkruhet në mënyrë shumë specifike.

“Marka përbëhet nga një burrë që thotë ‘ALRIGHT ALRIGHT ALRIGHT’, ku rrokja e parë e dy fjalëve të para ka një ton më të ulët se rrokja e dytë, ndërsa rrokja e parë e fjalës së fundit ka ton më të lartë se e dyta”, thuhet në përshkrim.

Avokatët e firmës ligjore Yorn Levine, që përfaqëson McConaugheyn, kishin aplikuar për mbrojtjen e kësaj fraze që në dhjetor të vitit 2023.

Zyra Amerikane e Patentave dhe Markave Tregtare (USPTO) e miratoi kërkesën në muajin dhjetor të vitit 2025.

Në total, aktori ka siguruar tetë marka tregtare që lidhen me figurën dhe zërin e tij.

Përveç shprehjes së famshme, janë miratuar edhe:
-një video 7-sekondëshe ku McConaughey qëndron në një verandë,
-një video 3-sekondëshe ku ai shfaqet para një peme të Krishtlindjes,
-si dhe një klip audio ku ai thotë: “Just keep livin’, right? I mean, what are we gonna do?”

Kevin Yorn, partner dhe bashkëthemelues i Yorn Levine, ka shpjeguar se edhe pse ligjet shtetërore në SHBA mbrojnë të drejtat e figurës publike, regjistrimi i markave i jep aktorit një bazë më të fortë për të ngritur padi në gjykatat federale.

“Nuk e dimë se çfarë do të thotë gjykata në fund, por të paktën duhet ta testojmë këtë”, ka thënë Yorn për Variety.

Ndërsa avokati Jonathan Pollack ka shtuar se në botën e AI-së ekziston edhe ligji që vendos ca rregulla.

“Në një botë ku të gjithë po përpiqen të kuptojnë si të përballen me keqpërdorimin e AI-së, tani kemi një mjet që mund ta ndalë dikë menjëherë ose ta çojë në gjykatë federale”, ka thënë ai.

Avokatët kanë theksuar gjithashtu se këto marka nuk janë vetëm mbrojtje, por edhe një mënyrë për t’i hapur rrugë përdorimit të kontrolluar të inteligjencës artificiale nga vetë McConaughey.

Në muajin nëntor, aktori kishte njoftuar se po bashkëpunonte me kompaninë ElevenLabs për të krijuar një version në spanjisht të buletinit të tij “Lyrics of Livin’”, duke përdorur një kopje të zërit të tij përmes AI-së.

Të gjitha markat janë regjistruar në emër të J.K. Livin Brands Inc., kompania mëmë e brendit të veshjeve “Just Keep Livin” të aktorit.

McConaughey ka folur shpesh për origjinën e frazës së famshme, duke treguar se ajo ishte improvizim i plotë gjatë xhirimeve të “Dazed and Confused”.

“Ajo më doli nga goja në një skenë ku në fakt nuk ishte planifikuar të isha fare”, ka thënë ai për revistën People në vitin 2024.

Ai ka shpjeguar se, si ky ishte roli i tij i parë i madh, ishte pak nervoz dhe po përpiqej të kuptonte karakterin.

“Thashë me vete, e para gjë është se Woodersoni e do makinën e tij, unë jam në makinë. E dyta, i pëlqen muzika rok, e kam yllin Ted Nugent në kasetë. I pëlqen të pi hashash, Slater është pranë me një cigare të mbështjellë”, ka treguar ai për përgatitjen për rolin.

Pastaj aktori ka thënë se këtij personazhi i pëlqente edhe të dilte me vazja.

“Wooderson i pëlqen të marrë vajza. Dhe pikërisht kur dëgjova ‘Action!’, mendova: i kam tre nga katër, dhe do ta marr edhe të katërtën. Alright, alright, alright”, ka thënë ai.

Edhe sot e kësaj dite, aktori thotë se nuk është lodhur kurrë nga kjo frazë. Madje e përfshiu edhe në fjalimin e tij kur fitoi çmimin “Oscar” për filmin “Dallas Buyers Club” në vitin 2014.

“Nuk e kisha idenë që ajo fjali do të më ndiqte gjithë jetën. Kur më pyesin nëse jam lodhur prej saj, u them: absolutisht jo. Çdo herë që e dëgjoj, e marr si kompliment”, ka thënë aktori amerikan.

McConaughey nuk është i vetmi personazh i famshëm që ka mbrojtur ligjërisht shprehjet e tij ikonike.

Ylli televiziv, Paris Hilton e regjistroi frazën “That’s hot” që në vitin 2004, ndërsa këngëtarja Taylor Swift ka aplikuar për të drejtat e disa vargjeve të këngëve të saj.

Së fundmi, edhe reperi i mirënjohur, Eminem, ka paditur një markë australiane për shkak të ngjashmërisë me shprehjen e tij “Slim Shady”.