Aktori i njohur, Michael Douglas, ka treguar se ka folur shumë me regjisorin e ndjerë, Rob Reiner, për telashet e djalit të tij, Nick Reiner, me drogën.
Regjisori e gruaja e tij, Michelle, më herët gjatë këtij muaji janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Los Angeles, dhe djali i tyre Nick, i cili ka vuajtur për kohë të gjatë me problemet me abuzimin e drogës, është arrestuar për vrasjen e tyre, duke i therur me thikë.
Ndërkohë Douglas, i cili gjithashtu ka vuajtur nga problemet e drogës brenda familjes, pasi djali i tij, Cameron Douglas, ka kaluar vite duke u munduar të përballet me varësinë, ka treguar se është afruar me Robin për shkak të problemit të përbashkët që kishin.
“Me këtë tragjedi të tmerrshme, po e kuptojmë se me sa shumë presion ishte duke u përballur në jetën personale me djalin e tij. Edhe unë e kam pasur djalin me po të njëjta telashe. Jam i lumtur që i ka tejkaluar dhe po jeton jetën me qëllime të qarta. Kemi folur për këtë dhe se çfarë mund të bësh si prind, e çfarë nuk mund të bësh. Duke qenë i vetëdijshëm për ato që ndodhin në prapaskenë, e di që ky njeri ka dhënë më të mirën nga vetja”, ka thënë Douglas në emisionin “Scenes From Life” të CBS News.
Aktori fitues i çmimit “Oscar”, ka thënë se është afruar me Robin pasi e kishin eksperiencën e ngjashme pasi edhe vet ata kanë kaluar nëpër të njëjtat faza si fëmijët e tyre, për shkak që të dy janë fëmijë të yjeve të famshëm, Michael si djali i aktorit Kirk Douglas, e Rob si djali i komedianit Carl Reiner.
“Eksperienca që kam pasur unë duke e shikuar babanë tim ishte se nuk do të mund të bëhesha kurrë si ai. Por kur hyn në të njëjtin biznes, të shikon në fytyrë. Dhe në rastin e Robit, a je po aq shakaxhi sa babi yt?”, ka thënë Douglas.
Ylli ka thënë se mendon se kjo gjë ka krijuar edhe këmbënguljen e tij, forcën e tij, dhe kjo është diçka për të cilën nuk flitet mjaftueshëm kur bëhet fjalë për Robin, qëndrueshmëria e tij.
Në këtë emision, Rob Reiner u kujtua gjithashtu nga aktorja e filmit “Misery”, Kathy Bates, e cila e krahasoi marrjen e rolit në adaptimin e Stephen King me historinë e filmit klasik të vitit 1946 “It’s a Wonderful Life” të Frank Capras, sepse ai rol ia ndryshoi jetën në mënyrë tërësore.
“Nëse nuk do ta kisha bërë filmin ‘Misery’, do të ishte si personazhi George Bailey në filmin ‘It’s a Wonderful Life’, duke u kthyer pas dhe duke parë se si do të kishte qenë jeta e tij nëse nuk do të kishte qenë kurrë aty. Gjithmonë kam dashur të jem aktore dhe, nëse nuk do të ishte Robi, nuk mendoj se do ta kisha realizuar ndonjëherë këtë ëndërr në një mënyrë kaq dramatike dhe të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Aktorja ka treguar se Robi i ka ndryshuar rrjedhën e jetës dhe nëse nuk do ta kishte bërë këtë, nuk do të ishte aty ku është sot.
Aktorja Annette Bening, e cila u bë shoqe e ngushtë e regjisorit, Reiner, pasi luajti në filmin e tij të vitit 1995 “The American President”, ka zbuluar se ai e kishte zakon të dërgonte aktorët dhe ekipin në shtëpi në një orar të arsyeshëm çdo ditë, sepse donte që ata të kishin kohë për familjet e tyre.
“Ai ishte njeri familjar. Udhëheqësi vendos tonin. Ai këmbëngulte që dita e punës të përfundonte në një orar normal, gjë që në botën e spektaklit është disi e pazakontë. Por ai thoshte: ‘Jo, ne duam që të gjithë të kenë mundësi të hanë darkë me fëmijët e tyre’. Ai dinte si të krijonte një atmosferë të shkëlqyer”, ka thënë ajo.
Duke folur për jetën personale të Reinerit, Bening ka shtuar se ai i donte shumë fëmijët dhe Michellen.
“Ata ishin vërtet partnerë të njëri-tjetrit. Dhe ne të gjithë e respektonim shumë këtë gjë tek ata dhe marrëdhënien e tyre”, ka thënë ajo.