Ish-producenti i Hollywoodit, Harvey Weinstein, është shpallur fajtor për njërën nga akuzat kryesore për krime seksuale në rigjykimin e tij, por u shpall i pafajshëm për një tjetër akuzë, ndërsa juria nuk ka arritur të marrë vendim për akuzën e tretë, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Ky vendim i pjesshëm i ka dhënë drejtësi si viktimave e prokurorisë, ashtu edhe vetë Weinsteinit, duke lënë çështjen ende të hapur pas viteve të tensionuara që pasuan fillimin e lëvizjes “Edhe unë” apo “MeToo”.
Vendimi erdhi pas një dite të tensionuar, pasi kryetari i jurisë u shpreh se ishte ndier i detyruar dhe i ngacmuar nga anëtarë të tjerë të jurisë, ndërsa Weinstein kërkoi që gjyqi të ndërpritej menjëherë.
“Jeta ime është në rrezik dhe e dini çfarë? Nuk është e drejtë”, ka thënë Weinstein, duke iu drejtuar gjykatës me kërkesë të pazakontë duke i thënë se: “Është koha që ky gjyq të përfundojë”.
Weinstein ishte dënuar për herë të parë para pesë vjetësh, çka u konsiderua si pikë kthese për lëvizjen #MeToo, por ai vendim u anulua vitin e kaluar dhe çështja u kthye për rigjykim në të njëjtën gjykatë në Manhattan.
Në këtë rigjykim, juria e përbërë kryesisht me gra e shpalli fajtor Weinstein për kryerjen me forcë të një akti seksual ndaj Miriam Haley, producente dhe asistente e prodhimit të filmave, në vitin 2006.
Ndërkohë, kjo juri e shpalli të pafajshëm për një tjetër akuzë të ngjashme që lidhej me Kaja Sokola, një ish-modele që e kishte akuzuar për dhunim oral në të njëjtin vit, por kjo akuzë ishte shtuar në rast vetëm vitin e kaluar.
Juria nuk ka arritur ende të marrë një vendim për akuzën se Weinstein kishte dhunuar aktoren dhe stilisten Jessica Mann në vitin 2013. Nën ligjin e New Yorkut, përdhunimi i shkallës së tretë ka dënim më të lehtë sesa akuza për akt kriminal seksual të shkallës së parë.
Weinstein, 73 vjeç, i ka mohuar të gjitha akuzat për përdhunim apo sulm seksual.
Tensione mes jurisë
Seanca e së mërkurës u shoqërua me tensione të mëdha. Kryetari i jurisë kishte sinjalizuar më herët se ishte ndier i detyruar nga juristë të tjerë që të ndryshonte mendim dhe madje kishte përmendur se dikush i kishte thënë: “Do të të pres jashtë një ditë”. Në sallën e jurisë kishte pasur edhe të bërtitura.
Avokati i Weinstein, Arthur Aidala, ka kërkuar që gjyqi të shpallej i pavlefshëm për shkak të presionit që po përjetonte juria, por prokurori Matthew Colangelo tha se kryetari i jurisë nuk kishte dhënë shenja frike, por thjesht ishte “kokëfortë”.
Ky ishte vetëm një nga momentet e shumta të tensionit mes anëtarëve të jurisë gjatë procesit. Javën e kaluar, një tjetër anëtar i jurisë kishte kërkuar të largohej duke pretenduar se një koleg po trajtohej padrejtësisht.
Pesha e lëvizjes #MeToo
Rasti i Weinstein mbetet simbol i shpërthimit të lëvizjes #MeToo që nisi në vitin 2017, pas publikimeve të “The New York Times” dhe “The New Yorker” për dhjetëra akuza ndaj tij për ngacmime dhe sulme seksuale, që sipas raportimeve kishin ndodhur për dekada.
Weinstein, i cili dikur ishte ndër producentët më të fuqishëm të Hollywoodit, kishte sjellë suksese të mëdha në “Oscar” me filma si “The English Patient” (në vitin 1997), “Shakespeare in Love” (në vitin 1999) dhe “The Artist” (në vitin 2012). Ai ishte gjithashtu donator i rëndësishëm i Partisë Demokratike në SHBA.
Denoncimi i parë serioz kundër tij u bë në vitin 2015, kur një modele italiane e akuzoi për ngacmim seksual në zyrën e tij në New York, por në atë kohë nuk u ngritën akuza penale. Dy vjet më vonë, skandali shpërtheu në media dhe lëvizja #MeToo mori përmasa globale.
Weinstein është aktualisht duke vuajtur një dënim tjetër në Kaliforni, të cilin po e apelon. Vendimi i mëparshëm në New York u anulua sepse gjyqtari kishte lejuar dëshmi nga gra që nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me akuzat e ngritura.
Detaje nga rigjykimi
Në këtë rigjykim, u përfshinë akuza të reja, përfshirë edhe dëshminë e Kaja Sokola, e cila tregoi se Weinstein e kishte detyruar të kryente seks oral me të kur ajo ishte vetëm 19 vjeç.
Procesi u karakterizua nga përplasje të ashpra dhe emocione të forta. Sokola u përball me leximin e disa faqeve nga ditari i saj personal. Jessica Mann tregoi me gisht Weinsteinin kur kaloi pranë tij në sallë. Miriam Haley i kishte sharë drejtpërdrejt nga vendi i dëshmisë.
Gratë që e akuzuan Weinsteinin ishin të gjitha të lidhura me industrinë e filmit dhe rrëfyen se ai kishte përdorur pushtetin e tij për t’u ofruar ndihmë në karrierë, për t’i izoluar dhe më pas për t’i detyruar në akte seksuale. Disa prej tyre e kishin parë sërish Weinsteinin edhe pas incidenteve, ndërsa Mann ka pranuar se kishte pasur një marrëdhënie konsensuale me të para dhe pas përdhunimit të pretenduar.
Weinstein ka zgjedhur të mos dëshmonte në gjyq. Avokatët e tij i përshkruan akuzueset si gra që ishin afruar me të me vetëdije për të përfituar karrierë dhe që, sipas tyre, “kanë tentuar ta paraqesin këtë si krim pas shumë vitesh për të përfituar nga kompensimet financiare dhe mbështetja e lëvizjes #MeToo”.
Miriam Haley, Jessica Mann dhe Kaja Sokola kanë vendosur vetë të identifikohen publikisht në këtë proces.