Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Prokuroria publikon detajet e vrasjes së 14-vjeçares për të cilën akuzohet këngëtari D4vd

D4vd

D4vd

Foto: Associated Press

Prokurorët kanë thënë se këngëtari amerikan, D4vd, e ka vrarë më thikë vajzën 14 vjeçe, Celeste Rivas Hernandes, të cilën pastaj e ka copëtuar me sharrë në garazhin e tij, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Autoritetet në Los Angeles, kanë treguar provat që morën nga ky rast do të shpërfaqin detajet e pretendimeve se si këngëtari e ka vrarë Rivas Hernandesin e më pas është munduar ta fshehë trupin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në dokumentet e gjykatës thuhet se këngëtari, emri i vërtetë i të cilit është David Burke, është takuar me Rivas Hernandesin kur ajo ishte 11 vjeçe dhe ka filluar të abuzojë seksualisht me të kur ajo ishte 13 vjeçe ndërsa ai 18. Sipas dokumenteve ai e vrau vajzën kur ajo e kërcënoi se do të tregonte për lidhjen e tyre.

“Duke e ditur se duhej ta bënte te heshtë viktimën para se t’ia shkatërronte karrierën në muzikën, siç e kishte kërcënuar ajo, me të arritur në shtëpinë e tij, i pandehuri e ka therur me thikë vajzën disa herë për vdekje”, thuhet në dokumente.

Burk është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasje të shkallës së parë dhe akuzat e tjera. Avokatët e tij mbrojtës kanë thënë se ai është i pafajshëm dhe nuk e ka vrarë vajzën.

Trupi i saj u gjet duke u dekompozuar në një veture Tesla, afër Hollywoodit, në muajin shtator të vitit të kaluar.

Prokurorët kanë thënë se kanë siguruar mesazhet e telefonit, në të cilat shihet se Hernandes Rivas dhe këngëtari kanë pasur lidhje seksuale, përfshirë imazhe të abuzimit seksual të saj, në telefonin e tij.

“Mesazhet tregojnë se viktima ishte xheloze për lidhjet që ai kishte me vajza të tjera, teksa i akuzuari e bëri të besonte se kishin të ardhme së bashku. Ajo u nervozua shumë dhe e kërcënoi se do ta bënte publike marrëdhënien që ka me të që t’ia shkatërronte karrierën e jetën”, thuhet në dokumentet gjyqësore.

Aty gjithashtu thuhet se ai e ka dërguar një veturë në shtëpinë e vajzës në Lake Elsinor, që ta marrë atë më datën 23 prill të vitit 2025. Dyshja kanë shkëmbyer mesazhe deri sa ajo mbërriti në shtëpinë e tij në Hollywood, ku pastaj telefoni i saj u ndal.

Prokuroria pretendon se ai më vonë gjatë natës e dërgoi një mesazh ku e pyeste se ku është, në mënyrë që të mbulonte vrasjen.

Dokumentet gjyqësore pritet të përputhen me provat që prokuroria planifikon t’i paraqes në seancat preliminare që pritet të nisin më 26 maj, ku një gjykatës do të vendosë se a duhet të vazhdojë rasti në gjyq. Mbrojtja ende nuk e ka prezantuar publikisht versionin e saj të ngjarjes.

Në dokumente thuhet se Burke ka blerë online dy sharra elektrike, të cilat i ka përdorur për ta copëtuar trupin e vajzës në garazhin e tij, ku më pas është gjetur ADN-ja e saj.

“I akuzuar ndërmori masa të tmerrshme që ta shkatërrojë trupin e viktimës”, kanë thënë prokurorët.

Në dokumente thuhet se Burke ka shkuar tri herë me veturë në Lake Cachuma të Santa Barbaras në mënyrë që të hiqte qafe provat dhe pasaporta e saj është gjetur aty në muajin janar.

Tutje në dokumente thuhet se më 24 prill, një ditë pas vdekjes së saj, ai ka dhënë një intervistë në radio ku ka treguar se do ta publikojë albumin e tij të ri, “Withered”, që u lansua një ditë më pas.

Prokurorët pretendojnë se ai e ka mbajtur trupin e saj në veturën Tesla dhe i ka gënjyer shokët e ortakët e biznesit, të cilët e pyetën për erën e rëndë që po vjen në veturë.

Sipas raportit, trupi i Rivas Hernandesit ishte dekompozuar deri në atë masë sa ekzaminuesit ligjor nuk mund ta detektonin ngjyrën e syve të saj. Në kohën kur ajo ka vdekur ka pasur disa byzylykë dhe një tatuazh në gisht ku thuhet “Shhh...”, si dhe emrin e tij. Dy gishtërinjtë ishin amputuar, ashtu si dhe gjymtyrët e trupit.

Prokurorët më parë nuk e kanë përshkruar mënyrën se si ata mendon se është vrarë Rivas Hernandez e as nuk patën dhënë detaje për marrëdhënien e saj me këngëtarin.

Në raportin e autopsisë thuhet se ajo është vrarë nga plagët depërtuese në pjesën e sipërme të trupit.

Prokurorët kanë deklaruar se prindërit e Rivas Hernandezit e kanë lajmëruar të zhdukur në muajin shkurt të vitit 2024. Pas lajmërimit, autoritet e Riverside Couny e kanë kontaktuar Burken, por ai u kishte thënë se e kishte takuar vetëm një herë dhe se nuk e dinte që është e mitur.

Në muajin prill të vitit 2024, ajo sërish u raportua e zhdukur. Në dokumente thuhet se atë vit, ajo ka kaluar shumë kohë në shtëpinë e Burket në Hollywood dhe ka udhëtuar me të në Las Vegas, Londër dhe Texas për t’u takuar me familjen e tij.

Avokatët e të akuzuarit kanë kërkuar nga gjykatësja Charlene F. Olmedo që dokumenti të mbahej i klasifikuar, pra të mos bëhej publik dhe të mos shihej nga media, por ajo e refuzoi kërkesën. Ata nuk dhanë asnjë koment jashtë gjykatës.

Burke është arrestuar më 16 prill dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë, akte të përshtatshme më një person 14-vjeçar dhe fshehje të trupit të vdekur. Ai mund të përballet me dënimin me vdekje, por prokurorët thanë se ende nuk kanë vendosur nëse do ta kërkojnë atë.

Këngëtari ka filluar të bëj muzikë për videot e videolojës “Fortnite”, të cilat i publikonte në platformën YouTube, kur ishte adoleshent.

Këngët që i incizonte në telefon ishin të zhanreve “indie rock”, “R&B” dhe “lo-fi pop”. Muzika e tij e ktheu në fenomen në rrjete sociale si Tik-Tok, Instagram, Souncloud dhe Spotify, ku këngët më të mira të tij, përfshirë hitin e vitit 2022, me të cilin u bë i famshëm “Romantic Homicide”, janë dëgjuar me miliarda herë.

Në vitin 2023, ai ka kishte publikuar dy albume të shkurtra, EP, dhe ka qenë mysafir në turneun e yllit SZA.

Vitin e kaluar ai ka performuar në festivalin “Coachella” vetëm pak javë para se prokuroria të thoshte se Rivas Hernandes është vrare, e albumi i tij ishte lansuar.

Kur u gjet trupi i vajzës, e kur emri i tij u përfshi në këtë çështje, ai ishte në turne duke promovuar albumin në muajin shtator, pra shtatë muaj para se arrestohej.