Aktorja e njohur, Sarah Jessica Parker, është admiruese e rolit të saj në serialin “Sex and The City” dhe ndihet krenare për këtë.
60-vjeçarja, e cila luan rolin e Carrie Bradshaws edhe në vazhdimin e serive në fjalë, projektin filmik “And Just Like That”, në podcastin “Call Her Daddy”, ka treguar se gjithmonë e ka shijuar këtë rol, ka raportuar FemaleFirst.
“Më së pari, mënyra se si ajo fliste, zgjedhja e shprehjeve që kishte, asnjëherë nuk e kam parë e as dëgjuar një grua të flasë ashtu”, ka thënë aktorja.
Ajo tutje ka treguar se e “respekton” kureshtjen që Carrie ka për marrëdhëniet intime dhe “politikat seksuale”.
“Gjë që unë nuk e bëj, nuk flas për këtë pjesë as me shoqet e mija. Do të flas për këtë hapur, por nuk ulem të flas detaje të jetës sime intime në atë mënyrë”, ka thënë ajo.
Jessica Parker ka thënë se e sheh Carrien si “të mbijetuar”.
“Ajo është si një e mbijetuar e vogël. Ka instinktin ta mbajë kokën lart, jo çdo herë duke bërë zgjedhje të mençura”, ka thënë tutje ylli.
Adhuruesit e serialit kanë kritikuar mënyrën se si Carrie merr vendime, përfshirë lidhjen e saj me Mr. Big, por kjo nuk është diçka që e ka shqetësuar Jessica Parkerin.
“Ka shumë pjesë ku ajo nuk merr vendime të mira për jetën, por Carrie në anën tjetër ka qenë edhe shumë besnike, e ndershme, e besueshme, shoqe shumë e mirë, e shumë çka tjetër”, ka thënë ajo.
Aktorja ka thënë se nëse do ishte shoqja e Carriet, e nëse do të shihte se është duke gabuar, sigurisht që nuk do të ndihej mirë.
“Por si aktore që e luan rolin e saj, e dua ashtu siç është. E dua të gjithën”, ka thënë ajo.