Këngëtari i njohur nga Kosova, Shpat Deda, ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor “Hajde n’Ballon (Live EP)”, format më i vogël i albumit të zakonshëm, të cilin e ka incizuar tërësisht live, me video dhe audio, e që sjell një dimension të ri në skenën muzikore shqiptare.
EP-ja, e incizuar më 19 qershor 2025 në hapësirat e “Defy Them” në Prishtinë, përfshin pesë këngë të interpretuara live. Katër prej tyre janë kompozime origjinale që prezantohen për herë të parë, ndërsa kënga “Ke Kujdes” është një ripërpunim i njohur i këngës me të njëjtin emër nga grupi ikonik “Blla Blla Blla…”.
Ky projekt shënon një hap të madh në krijimtarinë e Shpat Dedës, duke sjellë tinguj të pasur neo-soul.
“Ky album është përvojë krejt ndryshe për mua. Është energji e pastër live, bashkë me muzikantë të mrekullueshëm që e duan muzikën po aq sa unë”, ka thënë Deda për publikimin e ri, përmes një komunikate për shtyp.
EP-ja shënon bazën e albumit të katërt me muzikë origjinale të artistit. Në realizimin e tij morën pjesë muzikantët e njohur të skenës kosovare si Nesim Maxhuni, Fatlind Ferati, Jeton Dolaku dhe Art Lokaj.
Sipas Dedës, procesi i punës ishte “një bashkëbisedë muzikore e vërtetë mes nesh, këngët lindën përmes provave, improvizimeve dhe momenteve spontane në studio”.
Deda ka thënë se rol të veçantë ka pasur bateristi dhe producenti Nesim Maxhuni, të cilin këngëtari e përshkruan si “shtyllë të këtij projekti dhe një bashkëpunëtor me shpirt, me të cilin ndaj dashurinë për tingujt neo-soul”.
Në mesin e momenteve më të veçanta të “Hajde n’Ballon (Live EP)” është pjesëmarrja e jazz-trumpetistit të njohur katalanas me bazë në Paris, Raynald Colom, një emër i madh jazz-it evropian që ka performuar me artistë si Manu Chao.
“Pjesëmarrja e Raynaldit ishte një dhuratë për ne. Ai i ka dhënë muzikës sonë frymëmarrje ndërkombëtare dhe një dimension artistik që lidhi Prishtinën me botën e jazzit evropian”, ka thënë Deda.
Kontakti me Colom u krijua gjatë “Prishtina Jazz Festival 2024”, ku ai kishte performuar për herë të parë para publikut kosovar.
Koncertin e plotë mund ta ndiqni në YouTube në këtë link:
Albumi tashmë është i disponueshëm në të gjitha platformat digjitale muzikore, përfshirë Spotify, Apple Music dhe Deezer.