Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Shtëpia e Bardhë reagon pasi De Niro e Springsteen kritikuan Trumpin

Robert de Niro, Donald Trump dhe Bruce Springsteen

Robert de Niro, Donald Trump dhe Bruce Springsteen

Foto: Associated Press

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pasi aktori, Robert de Niro, dhe këngëtari, Bruce Springsteen, kritikuan presidentin Donald Trump gjatë episodit të parafundit të emisionit “The Late Show” me komedianin Stephen Colbert, ka shkruar Fox News.

Shumë personazhe të njohura bënë paraqitje të befasishme në emisionin e së mërkurës, ndërsa disa prej tyre shfrytëzuan momentin për të ironizuar Trumpin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

De Niro, i njohur për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj presidentit amerikan, mori pjesë në rubrikën “Colbert Questionert”, ku moderatori Colbert zakonisht u bën pyetje të ftuarve, por këtë herë ishte e kundërta.

Kur DeNiro e pyeti Colbertin “Për cilin numër po mendoje?”, ai u përgjigj duke thënë se kurdo që dikush përgjigjet gabim ai u thotë jo, dhe u jep përgjigjen e duhur, gjë që sipas Colbertit ka ndodhur të paktën dy herë. “Aktorët Meryl Streep e Ethan Hawk e kanë qëlluar, dhe Hawk ka thënë e di cili numër është, është tre”, ka thënë Colbert.

De Niro pastaj u përgjigj me shaka duke thënë: “Mirë. Sepse mendova se do të ishte dy milionë e gjysmë. Ky është numri i dosjeve të Epstein që Trump ende nuk i ka publikuar”.

Ndërkohë, Springsteen ka mbyllur emisionin me këngën e tij protestuese “Streets of Minneapolis”.

“Jam këtu sonte për të mbështetur Stephenin, sepse ti je njeriu i parë në Amerikë që humbi emisionin e tij sepse kemi një president që nuk pranon shaka”, ka thënë ai para publikut.

Këngëtari i hitit Born in the U.S.A. ka kritikuar gjithashtu kompaninë “Paramount”, për të cilën disa besojnë se anuloi emisionin e Colbertit për arsye politike dhe jo financiare, siç është deklaruar zyrtarisht.

“Larry dhe David Ellison mendojnë se duhet t’i bëjnë qejfin atij për të marrë atë që duan. Stephen, këta janë njerëz mendjengushtë… nuk kanë asnjë ide se çfarë duhet të përfaqësojnë liritë e këtij vendi të bukur”, ka thënë Springsteen.

Shtëpia e Bardhë ka reaguar të enjten përmes një zëdhënësi.

“Stephen Colbert është një katastrofë patetike pa talent dhe me shikueshmëri të dobët, dhe pikërisht për këtë arsye CBS e anuloi emisionin e tij dhe po e largon nga ekrani”, ka thënë ai për Fox News.

Reagimet në rrjetet sociale u ndanë sipas bindjeve politike.

“Kjo ishte një mbyllje epike për ‘The Late Show’ dhe është e vështirë të besohet se gjithçka përfundon nesër”, ka shkruar një komentues në YouTube për Springsteenin

Një tjetër komentoi: “Respekt maksimal për ‘The Boss’, një njeri shumë më i mirë se ai që ndodhet në Zyrën Ovale”.

Për Robert De Niro, një përdorues ka shkruar se “Jam shumë i lumtur që Robert De Niro u shfaq në emision, një legjendë e gjallë”.

Nga ana tjetër, kritikët e tyre reaguan po ashtu ashpër.

“Gjithçka është shumë e turpshme. Springsteen mezi ka IQ 80. Colbert nuk ka qenë kurrë qesharak dhe e harroi që puna e tij ishte të ishte komedian, jo të bënte propagandë politike”, ka shkruar një përdorues në X.

Një tjetër e quajti Springsteenin “një muzikant të konsumuar”, duke pretenduar se emisioni i Colbertit u anulua sepse “askush nuk po e shikonte më”.

Në muajin prill, Donald Trump pati sulmuar publikisht Springsteenin, duke e quajtur “të dobët dhe shumë të mërzitshëm”.

Ai ka shkruar se këngëtari duket si “një kumbull e tharë që ka vuajtur nga ndërhyrjet e një kirurgu plastik shumë të keq” dhe shtoi se vuan nga “Trump Derangement Syndrome (TDS)”, term që përdoret nga mbështetësit e Trump për kritikët e tij obsesivë.

“MAGA (Make America Great Again v.j.) duhet t’i bojkotojë koncertet e tij të shtrenjta që janë të tmerrshme. Kurseni paratë tuaja të fituara me mund”, pati bërë thirrje Trump.

Në episodin e së mërkurës morën pjesë edhe emra të njohur si Billy Crystal, Mark Hamill, Martha Stewart, Josh Brolin, Ben Stiller dhe Aubrey Plaza.