The Weeknd është rikthyer në stadiumin “SoFi’ në Inglewood të Kalifornisë, për turneun “After Hours Til Dawn Tour”, ku do të performojë për katër net rresht. Njëherësh thyen rekord, duke shënuar numrin më të madh të koncerteve në këtë lokacion, shtatë gjithsej, më shumë se çdo artist tjetër.
Këngëtari i shpërblyer me katër çmime “Grammy”, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, ka bërë të ditur se planifikon që së shpejti ta largojë emrin skenik, The Weeknd.
Juan Campos Perez, një adhurues i artistit kanadez që ka udhëtuar nga Albuquerque, New Mexico, vetëm për koncertin e 26 qershorit në stadiumin “SoFi”, tha se është i emocionuar për kapitullin e ardhshëm të Tesfayes në karrierë, duke shtuar se beson që do ta vërë në fokus edhe më shumë natyrën e vërtetë të tij.
“Ai në thelb po shprehet për atë që do të kalojë dhe për personalitetin e tij të vërtetë. Pra më në fund do të jetë plotësisht vetvetja”, tha Campos Perez.
Koncertet shënojnë një moment të rëndësishëm për Tesfayen në stadiumin “SoFi”, duke performuar ne skenën ku, në vitin 2022 ishte detyruar ta ndërpresë koncertin pasi humbi zërin, ngjarje kjo që më vonë e frymëzoi një histori në filmin e tij, "Hurry Up Tomorrow".
Një tjetër adhuruese, Sanaz Homayounieh, tha se e vlerëson sinqeritetin e The Weeknd në lidhje me dobësitë dhe kufijtë e tij si interpretues.
“Dua të them, ishte një natë e vështirë për të. Fansat e pranishëm në koncert po e shqetësonin paksa për këtë. Por e vërteta është se duhet t’i njohësh kufijtë e tu. Artistët janë gjithashtu njerëz dhe njerëzit e zakonshëm e harrojnë këtë ndonjëherë”, u shpreh ajo.
Ylli i muzikës pop i interpretoi 41 këngë gjatë koncertit dy-orësh, duke përfshirë hitet e preferuara të publikut si, “Starboy”, “The Hills”, “Often” dhe “Blinding Lights”.