Aktori Will Smith ka siguruar një rol të ri kryesor në filmin aksion-thriller “Supermax”, një projekt i ri i “Amazon MGM” që konsiderohet si një tjetër hap i rëndësishëm në rikthimin e tij në Hollywood pas incidentit famëkeq me komedianin Chris Rock në ceremoninë e “Oscars” 2022, ka shkruar Variety.
Sipas Deadline, “Amazon MGM” ka siguruar të drejtat globale të filmit nga kompania “Miramax” në një marrëveshje që raportohet se kap vlerën e 70 milionë dollarëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFilmi, i drejtuar nga David Gordon Green, i njohur për filmat “Halloween”, do të publikohet direkt në “Prime Video” dhe nuk do të shfaqet në kinema.
“Supermax” përshkruhet si një thriller aksion “i mbushur me tension dhe kthesa të papritura”, i vendosur në burgun më të sigurt në botë.
Historia ndjek dy agjentë të FBI-së që hetojnë një vrasje misterioze brenda burgut, ndërsa Smith do të interpretojë personazhin Rex.
Procesi i përzgjedhjes së aktorëve të tjerë është ende në zhvillim, ndërsa xhirimet pritet të nisin në mesin e muajit gusht.
Skenari është shkruar nga David Weil dhe David J. Rosen, të njohur për projektet televizive “Hunters” dhe “Invasion”.
Filmi do të prodhohet nga Alex Heineman dhe Andrew Rona përmes kompanisë “The Picture Company”, ndërsa vetë Smith dhe Adam Fishbach do të jenë producentë përmes kompanisë “Westbrook”, të cilën Smith e themeloi bashkë me bashkëshorten e tij, Jada Pinkett Smith.
Ky projekt shihet si një tjetër sinjal se Hollywoodi po i hap gradualisht dyert aktorit 57-vjeçar pas krizës që pasoi ceremoninë e “Oscars” në vitin 2022.
Gjatë ceremonisë, Smith u ngjit në skenë dhe goditi Chris Rockun pasi komediani bëri një shaka për Pinkett Smith.
Ngjarja shkaktoi reagime të mëdha në industrinë e filmit dhe ndikoi për një periudhë në karrierën e aktorit.
Megjithatë, rikthimi i tij mori hov vitin e kaluar me filmin “Bad Boys: Ride or Die”, i cili arkëtoi më shumë se 404 milionë dollarë në mbarë botën.
Në film, Smith u ribashkua me Martin Lawrence në vazhdimin e famshëm të sagës “Bad Boys”, një prej projekteve që e shndërroi atë në një superyll të Hollywoodit në vitet ’90.
Suksesi i filmit u pa si dëshmi se publiku nuk i kishte kthyer shpinën aktorit pavarësisht polemikave.
Që nga incidenti në “Oscars”, Smith kishte shmangur rolet kryesore në filma origjinalë, por interesimi i industrisë për të duket se është rikthyer gradualisht.
Më herët gjatë këtij viti, kompania e tij “Westbrook” nënshkroi një marrëveshje me “Paramount Pictures” për zhvillimin e filmave-franshizë, një tjetër tregues i besimit të rikthyer ndaj tij si emër i fuqishëm në Hollywood.
Ndërkohë, Smith ka vazhduar të mbetet në qendër të vëmendjes edhe për jetën personale, për shkak të diskutimeve të vazhdueshme rreth martesës së tij me Pinkett Smith dhe zbulimeve që ajo bëri në librin e saj autobiografik.
Pavarësisht gjithçkaje, nostalgjia për rolet më ikonike të Smith vazhdon të jetë shumë e madhe te publiku.
Pamje nga seriali “The Fresh Prince of Bel-Air”, si dhe filmat “Independence Day” dhe “Men in Black” vazhdojnë të shpërndahen rregullisht në rrjetet sociale nga fansat që rikujtojnë kulmin e karrierës së tij.